SARANDË-Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shpërthimin e ndodhur mesditën e sotme në pikën e karburantit “AN OIL” në Sarandë, ku si pasojë dy punonjës mbetën të lënduar. Blutë raportojnë se shpërthimi dyshohet se ka ndodhur gjatë pastrimit të depozitave të gazit.
Dy punonjësit e karburantit Fatmir Pema, 40 vjeç dhe Florian Bica 27 vjeç u transportuan menjë herë në spital për ndihmë mjekësore. Për shkak të gjendjes së rënduar Fatmir Pema, 40 vjeç është transportuar me helikopter drejt Tiranës për të marrë trajtim të specializuar mjekësor.
Rasti vjen 20 ditë pas shpërthimit në karburantin “Eida”, në zonën e Brrylit në Tiranë mëngjesin e 9 shtatorit, ku tre punonjës mbetën të lënduar. Policia dyshoi se kishte shpërthyer një bombol gazi në momentin që një automjet po furnizohej. Ndërkohë, zjarrfikësit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ngritën dyshime të tjera, duke përfshirë mundësinë që zjarri të ketë nisur në zyrat e karburantit ose nga një automjet brenda territorit të stacionit.
Dy rastet brenda një muaji ngrejnë alarmin për sigurinë e karburanteve, ndërsa hetimet pritet të zbardhin shkakun e ngjarjeve.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 12:10, në lagjen nr. 1, në një pikë karburanti, dyshohet se gjatë pastrimit të depozitave të gazit ka ndodhur një shpërthim.
Si pasojë, janë dëmtuar dy punëtorë, shtetasit F. P., rreth 40 vjeç dhe F. B., rreth 27 vjeç, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Nga shpërthimi janë shkaktuar edhe dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.