TIRANË- Gjykata e Apelit ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për këngëtarin Jozefin Marku. Marku u arrestua në lidhje me ngjarjen e dhunës ndaj Eduard Kuçit pas publikimit të pamjeve në rrjete sociale. Fillimisht, gjykata kishte vendosur ndaj tij masën “arrest në shtëpi”, ndërsa tashmë Apeli ka ndryshuar masën e sigurisë në “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të përfshirë.
Jozefin Marku u arrestua për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”. Ndërkohë ndaj Kristjan Nikollit, përveç veprave penale që lidhen me dhunimin e Kuçit, është ngritur edhe akuza për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, bombave ose minave dhe të municionit”.
Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, policia gjeti municione, ndërsa është sekuestruar edhe një automjet tip “Land Rover”, që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes./ZËRI