VLORË- Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje në qytetin e Vlorës, duke shkaktuar dëme materiale në një biznes.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:45 në lagjen "Pavarësia 3", ku në derën e një lokali në pronësi të shtetasit me iniciale G.P. është vendosur një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar ambientet e jashtme të lokalit, si edhe një automjet i parkuar pranë tij.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, pasi lokali ishte i mbyllur në momentin e shpërthimit.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Vlorës dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer këqyrjen e zonës dhe kanë sekuestruar prova që pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorit ose autorëve.
Hetimet janë përqendruar në zbardhjen e motivit të vendosjes së lëndës plasëse, ndërsa po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë / Informacion paraprak
Sot, rreth orës 03:45, në lagjen "Pavarësia 3", në derën e një lokali në pronësi të shtetasit G.P., është vendosur një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë, janë shkatuar vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve./ZËRI