Aktualitet

Kushtetuesja në favor të Veliajt, zbardhet VENDIMI: Gjykata e Lartë të rishqyrtojë masën e arrestit (DOKUMENTI)

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar një kontroll kushtetues efektiv mbi masën e sigurisë, nuk ka analizuar proporcionalitetin e saj në raport me funksionin publik të ushtruar nga Veliaj dhe nuk ka shqyrtuar në mënyrë konkrete mundësinë e zbatimit të masave alternative ndaj paraburgimit.

zh.ll
Kushtetuesja në favor të Veliajt, zbardhet VENDIMI: Gjykata e
erion veliaj

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin lidhur me kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shfuqizimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, duke argumentuar arsyet që çuan në kthimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar një kontroll kushtetues efektiv mbi masën e sigurisë, nuk ka analizuar proporcionalitetin e saj në raport me funksionin publik të ushtruar nga Veliaj dhe nuk ka shqyrtuar në mënyrë konkrete mundësinë e zbatimit të masave alternative ndaj paraburgimit.

Një tjetër element i evidentuar nga Kushtetuesja lidhet me mungesën e arsyetimit për mbajtjen e Veliajt në kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore. 

Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata e Lartë nuk u kishte dhënë një përgjigje të arsyetuar dy pretendimeve thelbësore të kërkuesit:

1- Gjykata vlerësoi se nuk ishte analizuar mjaftueshëm nëse masa “Arrest në burg” ishte e domosdoshme në raport me të drejtën për t’u zgjedhur (Neni 45 i Kushtetutës),. Sipas vendimit, Gjykata e Lartë dështoi të ushtronte një kontroll efektiv mbi faktin nëse masat më pak kufizuese (si garancia pasurore) mund të neutralizonin rreziqet pa penguar ushtrimin e funksionit publik të kryetarit të bashkisë.

2- Një tjetër pikë ku vendimi i Gjykatës së Lartë u gjet i cenueshëm ishte mungesa e arsyetimit lidhur me qëndrimin e Veliajt në kabinën e xhamit gjatë seancave,. Kërkuesi pretendoi se ky izolim krijonte një imazh negativ si person i rrezikshëm dhe cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë.

Sa i përket ndarjes së trupës gjykuese, ku vendimi evidenton ndarje të theksuar mes gjyqtarëve të Kushtetueses. Katër prej tyre kanë vlerësuar se masa e arrestit ishte joproporcionale, ndërsa nga ana tjetër, gjyqtari relator Vokshi votoi kundër shfuqizimit të vendimit të Gjykatës së Lartë. Ndërsa gjyqtarja Bejtja kritikoi arsyetimin e gjykatave të zakonshme lidhur me ekzistencën e “dyshimit të arsyeshëm”, pasi sipas saj, nuk ishte provuar lidhja individuale e Veliajt me veprat e pretenduara korruptive, por se argumentimi ishte mbështetur kryesisht në pozicionin e tij si titullar i institucionit.

Zbardhja e vendimit zbulon një ndarje të thellë mendimesh mes gjyqtarëve kushtetues:

-Pesë gjyqtarë argumentuan se masa e arrestit ishte joproporcionale në vetvete,. Sipas tyre, izolimi i ka pamundësuar Veliajt ushtrimin e detyrës për një periudhë të gjatë në raport me mandatin e fituar, duke cenuar edhe të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga i përzgjedhuri i tyre,.
-Gjyqtari relator Vokshi votoi kundër shfuqizimit, duke argumentuar se Veliaj nuk i kishte shteruar mjetet juridike për pretendimin e mandatit përpara se të vinte në Kushtetuese. Lidhur me kabinën e xhamit, ai vlerësoi se ajo nuk përbën në vetvete trajtim degradues nëse kushtet janë optimale,.
-Gjyqtarja Bejtja kritikoi ashpër arsyetimin e gjykatave të zakonshme për “dyshimit të arsyeshëm”, duke vlerësuar se nuk është provuar lidhja individuale e kërkuesit me veprimet korruptive, por arsyetimi është bazuar në fakte të përgjithshme që lidhen me funksionin e tij si titullar,.

Qëndrimi i 5 gjyqtarëve: Genti Ibrahimi, Sandër Beci, Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, Ilir Toska:

“Për sa më sipër, në vlerësimin tonë, pretendimi i kërkuesit se masa e sigurimit personal ‘Arresti në burg’ është joproporcionale në raport me të drejtën e tij për t`u zgjedhur, është i bazuar, ndaj Gjykata duhej të kishte shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë edhe për shkak se nuk ka konstatuar këtë shkelje, duke dështuar në rolin e saj subsidiar të kontrollit të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit”, ka qenë qëndrimi i 4 prej 5 gjyqtarëve, Genti Ibrahimi, Sandër Beci, Sonila Bejtja dhe Fiona Papajorgji.

Ndërkohë, Asim Vokshi është i vetmi gjyqtar që ka argumentuar që kërkesa e Veliajt duhet të rrëzohet në tërësi dhe se arresti i tij është i ligjshëm. 

“Në përfundim, për sa më sipër, jam i qëndrimit se pretendimet e kërkuesit për cenimin e dinjitetit dhe të lirisë personale në aspektin substancial, në drejtim të proporcionalitetit të ndërhyrjes të lidhur me të drejtën për t`u zgjedhur, por edhe në drejtim të arsyetimit të individualizuar të nevojave të sigurimit nga Gjykata e Lartë, janë të pabazuara, ndaj kërkesa duhej të ishte rrëzuar”, ka arsyetuar Vokshi.

Gjykata e Lartë tani duhet ta rishqyrtojë çështjen dhe të japë një arsyetim të plotë për proporcionalitetin e masës së arrestit dhe trajtimin e kërkuesit gjatë seancave gjyqësore. Tashmë, Gjykata e Lartë duhet të vendosë nëse Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në burg apo do t’i ndryshohet masa e sigurisë.

Më 25 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi që ankimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për lirimin nga qelia të shqyrtohet sërish nga Gjykata e Lartë. Vendimi u mor me shumicë votash, 5 me 3 në favor të kërkuesit, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes në instancën më të lartë gjyqësore.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB