TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ankimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për lirimin nga qelia të shqyrtohet edhe një herë nga Gjykata e Lartë.
Vendimi është marrë sot me shumicë votash, 5 me 3 në favor të Veliajt, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë rigjykimin e çështjes së tij. Kushtetuesja nuk ka dhënë një vendim përfundimtar mbi kërkesën, por ka urdhëruar që dosja të rikthehet për shqyrtim në instancën e lartë gjyqësore.
Sipas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese:
-Gjykata e Lartë nuk e ka argumentuar mjaftueshëm vendimin e saj për vazhdimin e masës “arrest në burg” për Veliajn.
-Nuk është argumentuar në mënyrë të qartë nevoja që Veliaj të qëndrojë në kafazin e xhamit gjatë seancave gjyqësore.
-Mungesë arsyetimi lidhur me të drejta të procesit, si proporcionaliteti i masës. Pra, gjykata nuk ka shpjeguar nëse masa “arrest në burg” ishte e tepruar apo e domosdoshme.

Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese
Në datën 25.05.2026, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftësuar me vendimin nr. 14, datë 12.02.2025 të po asaj gjykate, nr. 13, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, bazuar në natyrën dhe thelbin e pretendimeve të parashtruara në ankimin kushtetues individual, e shqyrtoi çështjen në themel vetëm në drejtim të pretendimeve për aspektin procedural dhe atë substancial të caktimit të masës së sigurimit “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.
Ne aspektin procedural, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e:
i) Se drejtës së mbrojtjes për shkak të kohës së pamjaftueshme në dispozicion për njohjen me aktet e dosjes dhe të qëndrimit të kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor në gjykatat e faktit. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij si të pabazuar.
ii) Parimit reformatio in peius (mosrëndimit të pozitës) të lidhur me marrjen e provave të reja në Gjykatën e Posaçme të Apelit, të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata nuk arriti numin prej pesë votash për vendimmarrje, për rrjedhojë, në kuptim të nenit 73, pika 4, të Ligjit Organik të Gjykatës ai konsiderohet i rrëzuar.
Në aspektin substancial, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e:
i) Dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë të lidhur me qëndrimin e kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor në gjykatat e faktit. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi pranimin e tij, në drejtim të mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë të këtij pretendimi të parashtruar në rekurs nga kërkuesi.
ii) Lirisë personle në drejtim të:
2.1. Dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj kërkuesit të lidhur edhe me parimin e prezumimit të pafajësisë për shkak të gjuhës së përdorur në arsyetimin e vendimeve të gjykatave. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij si të pabazuar. 2.2. Proporcionalitetit të masës të lidhur me të drejtën për t’u zgjedhur të cilin Gjykata, me shumicë votash, e gjeti të bazuar vetëm në drejtim të faktit që Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuar këtij pretendimi të ngritur në rekurs nga kërkuesi.
Në përfundim Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga Ligji Organik i Gjykatës dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Më 20 maj u mbaj procesi gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës së Veliajt, me dyer të mbyllura dhe pa praninë e palëve.
Në dokumentet e dorëzuara para Kushtetueses, Veliaj argumenton se masa e vendosur i ka cenuar lirinë individuale dhe, si kryebashkiak, edhe aftësinë për të ushtruar detyrën e tij, duke e konsideruar këtë si një cenim të dyfishtë. Ai pretendon se vendimi nuk është proporcional, pasi është qytetar i zgjedhur sipas Kushtetutës, dhe se nuk janë analizuar kriteret e nevojshme për vendosjen e masës së sigurimit. Sipas Kodit të Procedurës Penale, pas një periudhe kohore, çdo person duhet të gjykohet në liri kundrejt një garancie pasurore.
Lidhur me pretendimet SPAK këmbëngul se dyshimi i arsyeshëm është vërtetuar edhe nga gjykatat, ndërsa fakti që ka bashkëpunuar edhe me të tjerët e ka rënduar pozitën e Veliajt. Sipas SPAK-ut, fakti që Veliaj është në detyrë përbën arsye të mjaftueshme për ndikim tek dëshmitarët dhe tek bashkëpunëtori i drejtësisë. Po ashtu, sipas prokurorëve, veprat penale për të cilat Veliaj akuzohet rezultojnë të vërtetueshme nga një sërë provash konkrete. Ndryshe nga sa Veliaj ka ngritur si shkelje, Prokuroria thotë se të gjitha vendimet e Gjykatave të Posaçme janë në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
