KORÇË- Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për Nikolla Agollin dhe David Priftin, të arrestuar si autorë të dyshuar të plagosjes së 35-vjeçarit Brian Syzo, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim, në bashkëpunim”, mbetur në tentativë, si dhe armë pa leje.
Seanca gjyqësore zgjati rreth dy orë dhe nisi në orën 11:00. Gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e dy të dyshuarve dhe vendosi lënien e tyre në burg.
Raportohet se gjatë seancës Nikolla Agolli ka pranuar se ka qenë një konflikt çasti mes tij dhe Brian Syzos.
Sipas dëshmisë së tij para togave të zeza, ai është shprehur se është sulmuar nga Briani dhe ka qëlluar ndaj tij për ta neutralizuar dhe që ai të ndalonte sulmin.
"Kisha mundësi ta vrisja dhe nuk e bëra” – ka thënë autori.
35-vjeçar Brian Syzo mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri më 29 qershor, ndërsa i riu ndodhej i parkuar me mjetin e tij në lagjen nr. 3 të Pogradecit. Hetimet e Policisë kanë çuar në identifikimin e katër personave të dyshuar si autorë të atentatit. Dy prej tyre janë arrestuar, Nikolla Agolli dhe David Prifti, ndërsa dy të tjerë Meardi Berberi dhe Edison Agolli janë shpallur në kërkim. Burime bëjnë me dije se, sapo Syzo ka mbërritur në vendngjarje, pranë tij është afruar një fuoristradë "Jeep" me xhama të zinj dhe targa amerikane, ku udhëtonin autorët. Sipas të njëjtave burime, Nikolla Agolli ka hapur zjarr në drejtim të Syzos sapo ky i fundit ka dalë nga automjeti i tij.