Aktualitet

Pjesë e 'Ndraghetës'-Marjus Aliu i përfshirë në vrasje, Artur Hoxhosmani trafikonte drogë me Plaurent Dervishajn e Alibejn

Aliu ishte në qendër të hetimeve për të shtënat me armë që shkaktuan vdekjen e kalimtarit të rastësishëm, Ramazan Hasalliu, 55 vjeç më 4 korrik 2019.

F.I
Pjesë e 'Ndraghetës'-Marjus Aliu i përfshirë
Marjus Aliu dhe Artur Hoxhosmani

ITALI-Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni në Itali që çoi në goditjen e një grupi që trafikoi 27 mln euro kokainë nga Amerika e Jugut. Deri tani janë arrestuar 28 persona, 25 prej të cilëve u dërguan në burg dhe 3 në arrest shtëpie, mes tyre edhe shqiptarë. Të arrestuarit i përkasin një organizate kriminale të lidhur me Ndrangheta-n e Lokridës.

Por kush janë shqiptarët e arrestuar me të shkuar kriminale, pjesë e Ndrangheta?

Shqiptarët e përfshirë janë Marjus Aliu, Fation Aliu, Elvis Aliu, Ervin Bashmeta, Kujtim Daiu dhe Artur Hoxhosmani. Ky i fundit ndodhet i arrestuar në Shqipëri, në kuadër të një operacioni të SPAK në korrik të këtij viti, pas zbërthimit të aplikacionit SkyECC. Hoxhosmani rezulton pjesë e një grupi, i cili  dyshohet se ka trafikuar 6 ton kokainë me vlerë tregu 411 milionë euro. Ai u arrestua në Palasë, ku ishin bashkë me ish-pronarin e 'Cincos', Ermir Ndreaj dhe vëllain e tij Klevis Hoxhosmani në një skaf. Ndërkohë, për këtë operacion Dervishajt dhe Alibejt iu komunikua masa e arrestit në qeli, pasi janë në burg edhe për dosjen e Plumbit të Artë. Emri i tij është përmendur edhe në trafikun e drogës në Angli. 

Marjus Aliu është po ashtu një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Aliu ishte në qendër të hetimeve për të shtënat me armë që shkaktuan vdekjen e kalimtarit të rastësishëm, Ramazan Hasalliu, 55 vjeç më 4 korrik 2019. Në përplasje u përfshinë vëllezërit Eraldo dhe Elio Hyka së bashku me Rustem dhe Elton Dedej, gjithashtu vëllezër me njëri-tjetrin, të cilët ndodheshin në lokalin e tyre (të Dedejve) për t'u sqaruar me vëllezërit Marjus dhe Denis Aliu. Sherri i dhunshëm, që degjeneroi me përdorimin e armës, dyshohet se erdhi për shkak të konflikteve për zonën e influencës për shpërndarjen e drogës. 

Në shkëmbimin e zjarrit, përveç Marjus Alit dhe Eraldo Hykës, u përfshinë edhe disa të tjerë, duke sjellë plagosjen e shtatë personave dhe vdekjen e një të pafajshmi. Marjus Aliu u arrestua nga policia dhe u la në burg së bashku me Ardian Dedej, Eraldo Hyka dhe Qazim Merkaj, ndërsa një tjetër i përfshirë, Agron Kollçaku, u vendos nën arrest shtëpie për moskallëzim krimi. Sot Aliu rezulton mes personave që autoritetet italiane kanë vendosur masën "arrest në burg" në kuadër të një operacioni të gjerë anti drogë.

Aksioni anti-drogë në Itali

Hetimi zbuloi një rrjet trafiku ndërkombëtar të drogës me qendra në Kalabri, Lombardi dhe Kampani, që importonte sasi të mëdha narkotikësh nga Amerika e Jugut. Duke përdorur sisteme të sofistikuara mesazhesh të koduara në Sky ECC dhe kontakte të drejtpërdrejta me ndërmjetës shqiptarë dhe furnizues kokaine nga Amerika e Jugut, rrjeti transportoi lëndë narkotike me vlerë rreth 27 milionë euro gjatë një periudhe prej afërsisht dy vitesh.

Rrjeti vepronte nga Lombardia dhe kishte degë në Gjermani, Holandë, Spanjë, Britaninë e Madhe, Kolumbi dhe Brazil. Hetuesit kanë dokumentuar importimin e më shumë se 3,5 tonëve kokainë, prej të cilave mbi 400 kg u sekuestruan në Itali dhe jashtë saj. Droga futej në kontejnerë të ligjshëm përmes metodës së “mashtrimit”.

Operacioni, i cili përfshin gjithsej 41 persona nën hetim, ka lejuar rindërtimin e disa importeve të kokainës që, pa ndërprerje, u transportuan me det nga Kolumbia dhe Brazili në portet e Livornos, Roterdamit, Gioia Tauro dhe Le Havre duke përdorur të ashtuquajturën teknikë "grabitjeje" (gacho ciego), ku trafikantët e drogës e fusin drogën në kontejnerë të përdorur për transport të ligjshëm tregtar me det./ZËRI

Poll

MOS HUMB