Aktualitet

Pjesë e grupit kriminal të Tur Koçekut, vetëdorëzohet Erjon Rama, nipi i “Mirit të Xhikes”

Bazuar hetimeve në dosjen e SPAK, Erjon Rama ka qenë pjesë e takimeve të shpeshta në harkun kohor 2018 -2021, për të koordinuar veprimet për trafikun e drogës, por dhe mënyrat për të investuar në Shqipëri.

F.I
Pjesë e grupit kriminal të Tur Koçekut, vetëdorëzohet
endi rama-adrian rama-elton memeti

TIRANË-Vetëdorëzohet Erjon Rama, një nga personat e akuzuar si pjesë e grupit kriminal të Luçiano Koçekut. Ndaj tij ishte lëshuar masa “arrest në shtëpi”. Rama është nipi i Fatmir Ramës i njohur si “Mirit i Xhikes” dhe rezulton pjesë e grupit kriminal të goditur nga SPAK më 12 qershor, ku në kuadër të operacionit u lëshuan 20 masa sigurie, 15 ‘arrest me burg’ e 5 ‘arrest në shtëpi’.

Erjon Rama së bashku me vëllain e tij, Adrian Rama dyshohet se pastronin paratë e grupit kriminal të trafikut të drogës drejtuar nga Luçiano Koçeku. Në kuadër të aksionit vëllezërve u janë sekuestruar vila në Palasë, Jalë e Rolling Hills si dhe dhjetëra llogari bankare. Erjon Rama rezulton administrator dhe aksioner në disa lokale, si ‘CAPRI’, ‘CAPRICCIO’-n dhe shoqërisë 3 & more.

Bazuar hetimeve në dosjen e SPAK, Erjon Rama ka qenë pjesë e takimeve të shpeshta në harkun kohor 2018 -2021, për të koordinuar veprimet për trafikun e drogës, por dhe mënyrat për të investuar në Shqipëri. Konkretisht Rama ka qenë në Monako, ndërsa është identifikuar brenda një automjeti, së bashku me biznesmenin e shpallur në kërkim, Artur Shehun dhe vëllain e tij Adrian Rama. Të tre kanë udhëtuar më pas drejt ishullit të Majorkës.

Dosja e SPAK e siguruar nga ZËRI ka dokumentuar disa nga episodet më të rëndësishme të hetimeve, me emra, porosi dhe nënshkrime noteriale. Nga takimi në Aruba, episode të trafikut të drogës, veprimet juridike dhe transferta parash pasqyrohen përmes komunikimeve në Sky Ecc. Biznesmenët Orest Sota, Orgest Bircaj dhe Ilir Shtufi janë vendosur tashmë në pranga, ndërsa Artur Shehu, i akuzuar për pastrim parash, vijon të jetë në kërkim./ZËRI

Poll

MOS HUMB