Aktualitet

Prokuroria e Elbasanit aksion në Devoll! AMP: Ekzekutuam masat ndaj ish-drejtorit rajonal dhe ish-shefit të sektorit

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar ku njofton se janë ekzekutuar masat e sigurisë për Devis Ago, ish-shef sektori i AMP, Glodian Ahmetajn, ish-Drejtor Dege në AMP dhe Klevis Hoxhën, ish-drejtor i Policisë Bashkiake.

F.I
Prokuroria e Elbasanit aksion në Devoll! AMP: Ekzekutuam masat ndaj
FOTO ILUSTRUESE

DEVOLL- Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ka ndërmarë një operacion në Devoll, ku raportohet se kanë kryer kontrolle në disa apartamente. Kontrollet janë zhvilluar në banesën e Devis Agos, ish-punonjës i AMP së juglindjes. Një tjetër i dyshuar është edhe Klevis Hoxha, ish-drejtor i Policisë Bashkiake, si lidhje shoqërore e Agos. 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar ku njofton se janë ekzekutuar masat e sigurisë për Devis Ago, ish-shef sektori i AMP, Glodian Ahmetajn, ish-Drejtor Dege në AMP dhe Klevis Hoxhën, ish-drejtor i Policisë Bashkiake. Masat janë detyrim paraqitje dhe ndalimi i daljes jashtë Shqipërisë.

Ndaj shtetasit Glodian Ahmetajt është caktuar masa e sigurimit “ndalimi i daljes jashtë shtetit”, duke u urdhëruar të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë dhe të dorëzojë pranë Policisë Gjyqësore dokumentet e vlefshme që shërbejnë për kalimin e kufirit shtetëror.

Për Hoxhën janë caktuar masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ndërkohë masa e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” është dhënë edhe për Devis Agon.

Njoftimi i plotë i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në kuadër të një procedimi penal të ndjekur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe në zbatim të vendimeve të gjykatës, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal të caktuara ndaj shtetasve Glodian Gëzim Ahmetaj, Klevis Ramadan Hoxha dhe Devis Ramadan Ago.

Në zbatim të vendimit gjyqësor, ndaj shtetasit Glodian Gëzim Ahmetaj është caktuar masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, duke u urdhëruar të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë dhe të dorëzojë pranë Policisë Gjyqësore dokumentet e vlefshme që shërbejnë për kalimin e kufirit shtetëror.

Ndaj shtetasit Klevis Ramadan Hoxha janë caktuar masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ai është detyruar të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë, ora 11:00, si dhe të dorëzojë dokumentet e udhëtimit sipas përcaktimeve të vendimit gjyqësor.

Ndaj shtetasit Devis Ramadan Ago është caktuar masa e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”, me detyrimin për t’u paraqitur javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë, ora 12:00.

Gjatë operacionit janë ekzekutuar të gjitha detyrimet e përcaktuara nga gjykata, ndërsa me urdhër të autoritetit procedues janë ushtruar edhe tre kontrolle banesash me qëllim kërkimin dhe administrimin e provave me interes për hetimin.

Shtetasit Glodian Gëzim Ahmetaj, ish Drejtor Dege në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, dhe Devis Ramadan Ago, ish Shef Sektori në AMP, janë subjekt i këtij procedimi penal dhe i masave të sigurisë të vendosura nga gjykata.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore rithekson se askush nuk është mbi ligjin dhe se çdo rast i dyshuar për shkelje të ligjit trajtohet me profesionalizëm, paanshmëri dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. AMP mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, ekzekutimin e vendimeve të organeve të drejtësisë dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, duke kontribuar në forcimin e shtetit të së drejtës, sigurinë e komunitetit dhe integritetin e institucioneve ligjzbatuese.

Poll

MOS HUMB