SHBA-Sipas të dhënave nga raporti i Visual Capitalist bazuar në rezultatet e testimit PISA 2025 të OECD-së, Shqipëria renditet në vendin e 47-të për rezultatet e nxënësve 15-vjeçarë në shkencë, matematikë dhe lexim. Shqipëria ka grumbulluar mesatarisht 425.3 pikë në të tria lëndët, duke u pozicionuar përpara Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Në Shqipëri, nxënësit kanë marrë mesatarisht 435 pikë në shkencë, 433 pikë në matematikë dhe 408 pikë në lexim.

Mali i Zi renditet në vendin e 50-të me 421.3 pikë, i ndjekur nga Serbia në vendin e 51-të me 420.3 pikë. Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 73-të me 371.7 pikë, dhe Kosovën, në vendin e 82-të me 349 pikë. Shifrat tregojnë se Shqipëria ka lënë pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë, Azia Lindore kryeson renditjen me rezultatet më të larta në botë, me sistemet arsimore në rajon që zënë të gjashtë vendet e para. Rajonet pjesëmarrëse të Kinës, Pekini, Shangai, Jiangsu dhe Zhejiang, kryesojnë në matematikë dhe shkencë, ndërsa Singapori renditet i pari në lexim. Kina kryeson në matematikë me 612 pikë dhe në shkencë me 597 pikë, ndërsa Singapori ka rezultatet më të larta në lexim, me 535 pikë.
Në dhjetëshen e parë përfshihen gjithashtu Makao, Japonia, Koreja e Jugut, Estonia, Hong-Kongu, Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re. Estonia është vendi europian me rezultatet më të larta në këtë renditje, duke u pozicionuar e shtata në botë me 511.3 pikë.
Kanadaja renditet e 11-ta me 495 pikë, ndërsa SHBA-të e 16-ta me 485. Studentët amerikanë shënojnë 502 pikë në shkencë dhe 490 në lexim, por vetëm 463 në matematikë.