
TIRANË- Kompania “Qinglong Petroleum Itd”, dega shqiptare e një shoqëria nga Hong Kongu, është vendosur nën sekuestro nga administrata tatimore, pasi rezulton që nuk ka shlyer të paktën 100 milionë lekë (të vjetra) detyrime fiskale.
Emri i kompanisë “Qinglong Petroleum ltd”, shfaqet në një hetim të zhvilluar nga Prokuroria e Fierit mbi kompaninë koncesionare të naftës, “Bankers Petroleum”, kryesisht për periudhën kur ajo administrohej nga shtetasi shqiptar, Leonidha Çobo.
Prokurorët në Fier kanë ngritur dyshime mbi bashkëpunimin mes “Bankers” dhe “Qinglong”, duke e konsideruar këtë të fundit se është “e regjistruar në një juridiksion që shpesh përdoret për strukturim korporativ me qëllime të errëta fiskale ose ligjore”.
Në narrativën e përgjithshme të dosjes hetimore lihet të kuptohet se prokurorët e Fierit kanë pikërisht të njëjtin dyshim, se “Qinglong Petroleum ltd” mund të jetë përdorur pikërisht për “punët e errëta” të Bankers Petroleum.
Sekuestrimi për borxhe
Në 12 tetor 2026, administrata tatimore ka njoftuar Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) që të vendosë masën e sigurimit, duke mos lejuar tjetërsimin e aksioneve të shoqërisë “Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP Albania Branch”.
Në dokumentin e siguruar nga “Boldnews.al” rezulton se shoqëria, me administrator Junlin Sheng “ka një detyrim të pashlyer në shu mën 10.788.188 lekë të reja”.
Në shkresën e Tatimeve thuhet se kompanisë “i është dërguar dokumenti “Njoftim Për pagimin e detyrimit”, por ai nuk është paguar ende. Këto detyrime tashmë janë objekt i masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi”.
Më tej, Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara, urdhëron QKB-në që “të mos lejohet tjetërsimi mbi pasuritë dhe të drejtat e tjera pasurore që i përkasin këtij tatimpaguesi, si dhe kuotave/aksioneve, deri në shlyerjen e detyrimeve tatimore”.
“Kompania e punëve të errëta korporative”
Kompania “Qinglong Petroleum Itd” është regjistruar në Shqipëri, në dhjetor të vitit 2023, si degë e huaj e shoqërisë nga Hong Kongu, “China International Zoom Material Co Limited”. Administrator dhe përfaqësues ligjor të saj janë shtetasit Jiang Yijun dhe Junlin Sheng.
Në dhjetor të vitit 2024, Prokuroria e Fierit nisi hetimet për disa vepra penale, përfshirë “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprés penale ose veprimtarisë kriminale”. “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organer tatimore”.
Në qendër të hetimit ishte veprimtaria financiare e kompanisë koncensionare të naftës, “Bankers Petroleum”, duke nisur së paku prej vitit 2015. Prokurorët dyshojnë se koncesionari ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale ndaj Shtetit Shqiptar.
Gjatë hetimit u ngritën dyshime të forta se, thuajse i gjithë zinxhiri komandues i “Bankers Petroleum” ishte përfshirë në një skemë massive pastrimi parash, në rendin e milionave eurove, megjithëse shuma e saktë ende nuk është përcaktuar.
Në veprimet hetimore, Prokuroria e Fierit identifikoi një numër të lartë kompanish, që dyshohet se kanë shërbyer si “pastrues” për paratë e paligjshme të koncesionarit të naftës.
Mes këtyre kompanive të dyshuara gjendet edhe “Qinglong Petroleum Itd".
"Shoqëria “Qinglong Petroleum Itd” ka si pronar përfitues të saj “China International Zoom Material Co. Limited”, e cila është një kompani me seli në Hong Kong, një juridiksion që shpesh përdoret për strukturim korporativ me qëllime të errëta fiskale ose ligjore”, thuhet në dosjen që prokurorët kanë paraqitur në gjykatë, në korrik të vitit 2025, për arrestimin e të paktën 14 personave, shqiptarë e të huaj.
Sipas të dhënave të siguruara nga hetimi, rezultoi se “kompania, fillimisht ka pasur të punësuar vetëm administratorin. Në vitin 2024, stafi është shtuar në 24 persona, pjesa më e madhe nga Kina. Prej tyre, 10 persona nuk kanë qenë asnjëherë në Shqipëri, megjithëse rezulton se janë paguar rregullisht”.
Prokurorët kanë ngritur dyshimet për aktivitetin real të kompanisë “Qinglong Petroleum” shpk, pasi, sipas akteve hetimore, rezulton se “në vitin 2024, ka siguruar një fitim të madh, rreth 1.3 milionë euro, ndërkohë që klientët e saj janë “Bankers Petroleum” dhe “Albdrilling” sha.”, edhe kjo e fundit pjesë e skemës së dyshuar të pastrimit të parave me “Bankers Petroleum”.