TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot platformën “Pasqyrë Albania”, përmes së cilës qytetarët do të mund të ndjekin në kohë reale çdo aplikim apo ankesë, të kontrollojnë investimet publike dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me institucionet. Rama deklaron se asnjë shqetësim i qytetarëve të mos mbetet pa përgjigje në sirtarët e administratës dhe që përgjegjësit për vonesat të mos fshihen pas burokracisë.
Platforma do t’i dedikohet ankesave apo kërkesave nga qytetarët që do të ndiqen brenda afateve kohore nga institucionet përkatëse. Sipas kreut të qeverisë “Pasqyrë Albania” është një reflektim i protestave të qershorit, e cila do të shërbejë për një administratë transparente dhe në shërbim të qytetarëve.
Edi Rama: Asnjë ankesë apo kërkesë s’do të humbasë më në oqeanin e burokracisë. Janë një sërë elementësh të Pasqyra Albania që transformojnë këtë marrëdhënie, duke vendosur shtetin në sytë e qytetarit me një klik dhe një dritare. T’u vëmë në dispozicion një instrument ku ata mund të shohin vetë investimet, ecurinë e projekteve në çdo zonë të interesit të tyre. Do ta kthejmë çdo hallkë, çdo kërkesë, çdo problem në një pako DHL. Siç nisim një pako dhe e ndjekim gjithë kohës se ku ndodhet, do të bëjmë edhe me ankesën e kërkesën. Kjo do t’i japë qytetarit të shohë statusin e pakos së vet dhe do t’i japë administratës, institucioneve përkatëse, mundësinë që të ndjekin në kohë reale se ku ngec një pako, një kërkesë apo ankesë.