KOSOVË-Një tjetër letër e Arlinda Zekajt, e vrarë më 25 tetor nga kunati i saj, drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati që ta trajtonte me urgjencë çështjen e saj, është publikuar. Letra, e shkruar më 7 shtator 2026, është publikuar nga Natyra Kuçi, ku Zekaj kërkon nga gjyqatri të vendoste për urdhrin e mbrojtjes dhe për kujdestarinë e djalit.
"Shkruaj si një grua që tani po ndihem e rrezikuar për jetën e vet, ashtu dhe për jetën e fëmiut që nuk e di ku e kam. Lutem shumë gjejë pak minuta nga koha juaj e ngarkuar, për të caktuar urdhrin mbrojtës dhe caktimin e fëmijës në “kujdestarinë” e në shtëpinë ku kam dhënë gjithçka që kam pas. Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë" shkruante e ndjera.

3 ditë para krimit, viktima kishte kërkuar mbrojtje edhe nga Prokuroria. Në një letër dërguar Prokuorisë, Zekaj kërkonte veprim nga institucionet.
Arlinda Zekaj, 49 vjeçe u vra me të sëpatë, mbrëmjen e të dielës, 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës. Autori i dyshuar i vrasjes, kunati i saj Albert Sylaj, u arratis menjëherë pas krimit dhe kapja e tij u bë e mundur pas tre ditëve. Zekaj u gjet e vrarë vetëm disa orë pasi kishte denoncuar dhunën në familje, ndërsa tri ditë krimit, përmes një letre të hapur Prokurorisë në Pejë, viktima kishte njoftuar për rrezikun. Pavarësisht alarmit të ngritur dhe ankesave të saj ndaj institucioneve, rasti përfundoi në tragjedi me vrasjen e 49-vjeçares.
Pas vrasjes së saj, janë pezulluar nga detyra 13 zyrtarë, mes tyre kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferi, si dhe 11 zyrtarë policorë./ZËRI