TIRANË-Personi në foto është Isa Aliu, vëllai i Salvadore (Shpëtim) Aliut, ndaj të cilit SPAK ka lëshuar urdhërarrest në kuadër të hetimeve për një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash. Aliu, sipas dosjes hetimore dyshohet se ka luajtur rol kyç në qarkullimin dhe investimin e të ardhurave kriminale, përmes disa bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Salvadore Aliu, dyshohet see ishte furnitori kryesor me kokainë i grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit. Ai dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të përfituara nga aktiviteti kriminal, duke u ndihmuar nga vëllai i tij Isa Aliu. Në komunikime të zbardhura nga platforma SKY ECC, mes tij dhe vëllait Isa Aliu, përmenden shuma të mëdha parash, përfshirë 6 milionë euro cash dhe më pas rreth 20 milionë euro të tjera që pritej të siguroheshin për investim.
Sipas hetimeve, një nga metodat e përdorura ishte groposja e parave në tokë, të futura në fuçi plastike me kapacitet 50 litra. Nga verifikimet e kryera, SPAK dyshon se Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij dhe se këto para janë investuar më pas kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Bazuar njoftimit të SPAK, Isa Aliu, ka oreientuar që paratë e përfituara nga trafiku i drogës të kalonin në llogaritë e kompanisë “A.. R.. H…” sh.p.k, me qëllim “justifikimin” e investimeve të ardhshme, në muajt Maj 2021 – Qershor 2021. Aliu vendosi që kompania e tij “A.. R.. H…” sh.p.k' me seli në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë të shfaqej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash, për të justifikuar flukset e ardhshme të parave cash dhe shtrirjen e pritshme në sektorin e ndërtimit.
Hetimet e SPAK tregojnë se grupi kriminal ka operuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës gjatë viteve 2019–2021, me rrugë kryesore nga Amerika e Jugut drejt Europës, dhe dyshohet se ka arritur të fusë rreth 50 tonë kokainë./ZËRI