LEZHË- Është arrestuar në Mal të Zi, Besnik Kolndreu i akuzuar për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit” lidhur me ngjarjen e 26 prillit 2026 ku mbetën të vrarë çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në fshatin Balldren. Kolndreu dyshohet se ka ndihmuar autorët e vrasjes, duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas kryerjes së krimit. Automjeti u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimeve.
Në kërkim si autorë të ngjarjes janë shpallur Adriano Mëhilli 22 vjeç, Renato Mëhilli 23 vjeç dhe Florin Mëhilli 36 vjeç. Renato Mëhilli është djali i Genc Mëhillit të vrarë në vitin 2016, ndërsa Adriano dhe Florin janë dy nipat e tij. Viktima Mujeci, së bashku me dy vëllezërit e tij, Lin Mujeci dhe Jozef Mujeci, dyshohen për vrasjen e Gegë Mëhilli, i njohur dhe si Gent Mëhilli.
Njoftimi i policisë:
Falë informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, si dhe shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore malazeze, Policia e Malit të Zi lokalizoi dhe kapi në Ulqin një shtetas të kërkuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren.
Menjëherë pas kapjes, shtetasi u deportua në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua shërbimeve të Policisë Kufitare shqiptare dhe më pas u shoqërua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Lezhë, u bë ndalimi i shtetasit B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, ku u vranë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi B. K. dyshohet se ka ndihmuar autorët e kësaj ngjarjeje, duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas kryerjes së krimit. Automjeti u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimeve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Çifti Kreshnik dhe Gentjana Mujeci u ekzekutuan me breshëri plumbash pasditen e 26 prillit n rrugën Balldren-Torovicë. Për të kryer ekzekutimin janë përdorur dy automjete, një 'Audi A4' në pronësi të Adriano Mëhillit dhe një 'Volkswagen'. Bazuar në pamjet filmike të kamerave të sigurisë automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e Kreshnik Mujecit. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit ku udhëtonte çifti Mujeci dhe është qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tyre./ZËRI


