Aktualitet

Persona të maskuar si policë dhe me armë grabisin një banesë në Elbasan, autorët braktisin 2 automjetet, zhdukin gjurmët

Grabitësit kanë arritur të marrin 4 telefona celularë dhe një shumë parash, ndërsa më pas sapo kanë konstatuar praninë e shërbimeve të Policisë, autorët janë larguar në drejtim të zonës kodrinore, duke përfituar nga errësira.

F.I
Persona të maskuar si policë dhe me armë grabisin një
foto ilustruese

ELBASAN-Një grabitje nën kërcënimin e armës së zjarrit është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Elbasan. Autorët e maskuar si punonjës policie dhe të armatosur kanë hyrë në një banesë në lagjen “5 Maji”, por janë pikasur nga familjarët që ndodheshin në shtëpi, të cilët kanë njoftuar Policinë.

Grabitësit kanë arritur të marrin 4 telefona celularë dhe një shumë parash, ndërsa më pas sapo kanë konstatuar praninë e shërbimeve të Policisë, autorët janë larguar në drejtim të zonës kodrinore, duke braktisur automjetet e tyre.

Efektivët kanë sekuestruar 2 automjete, që dyshohen se janë përdorur gjatë ngjarjes, brenda të cilës u gjetën dhe veshje të ngjashme me uniformat e Policisë. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/Informacion paraprak

Në lagjen “5 Maji”, shtetasi L. Z. ka njoftuar se rreth orës 04:05 të mëngjesit, disa persona të paidentifikuar janë futur në banesën e tij dhe, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i kanë marrë 4 telefona celularë dhe një shumë parash.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje. Sapo kanë konstatuar praninë e shërbimeve të Policisë, personat janë larguar në drejtim të zonës kodrinore, duke përfituar nga errësira, dhe kanë braktisur automjetet. Vijon ndjekja për kapjen e tyre.

Në vijim të veprimeve, janë gjetur dhe sekuestruar 2 automjete, të dyshuara se janë përdorur gjatë ngjarjes, veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që do t’i shërbejnë grupit hetimor për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit. Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në ngjarje.

Poll

MOS HUMB