MEMALIAJ- Lorenc Bami, ish-shef i urbanistikës në Bashkinë e Tepelenës është arrestuar për ndërhyrje të paligjshme në shtratin e lumit Vjosa. Ndërkohë një hetim në gjendje të lirë ka nisur ndaj 49-vjeçarit Andi Hasani.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, më 10 tetor në vendin e quajtur "Gallaticë", në fshatin Vasjar të Memaliajt, shërbimet kanë evidentuar ndërhyrje me eskavator në shtratin e lumit Vjosa, zonë e mbrojtur mjedisore. Pas arrestimit, Bami ka reaguar përmes avokatit të tij, duke kundërshtuar dyshimet për ndërhyrje të paligjshme në zonën e mbrojtur.
Ish-drejtori i urbanistikës, pretendon se ka kontribuar për një ujësjellës, nëpërmjet burimit nën shtratin e lumit Vjosa, projekt i cili synon të sigurojë furnizimin me ujë për zona të tëra, pas rreth tri dekadash.
"Në Memaliaj, u arrestua shtetasi L. B., 44 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. H., 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, pasi këta shtetas, ditën e djeshme, në fshatin Vasjar, në vendin e quajtur “Gallaticë”, janë konstatuar nga shërbimet e Policisë duke gërryer shtratin e lumit Vjosa me një mjet të rëndë (skrep),"-thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.