Aktualitet

Banorët e Orikumit dhe Dukatit kundërshtojnë ndërtimet: Do rikthehen protestat e 2009-ës, do i largojmë me gurë (VIDEO)

Këto toka, protestuesit pretendojnë se janë në pronësinë e tyre të cilat i kanë përfituar përmes ligjit 7501.

zh.ll
Banorët e Orikumit dhe Dukatit kundërshtojnë ndërtimet: Do
pamje nga protesta

VLORË- Këtë të hënë, banorët e Orikumit dhe Dukatit kanë protestuar duke kundërshtuar ndërtimet që sipas tyre u rrezikojnë pronat. Banorët janë grumbulluar sot në zonën e plazhit të Orikumit, pikërisht aty ku 700 hektarë tokë, janë në qendër të konfliktit.

Këto toka, protestuesit pretendojnë se janë në pronësinë e tyre të cilat i kanë përfituar përmes ligjit 7501. Ndërkohë që një ditë më parë, sipas tyre, në zonë kanë mbërritur persona që synonin të nisnin punimet për ndërtimet e planifikuara. Në shenjë kundërshtie, ata kanë bllokuar për disa minuta rrugën e plazhit, ndërsa kanë paralajmëruar se situata do të përshkallëzohet nëse në zonë do të mbërrijnë fadroma apo mjete tjera për nisjen e punimeve. 

"Do të rikthehen protestat e vitit 2009, kur e kemi përzënë policinë me gurë", janë shprehur banorët gjatë protestës. 

"Nuk do të lejojmë askënd që të vijë të bëjë punime pa pasur banorët të drejtën e tyre. Domethënë në qoftë se nuk gjendet një rrugë e mesme, marrëveshje apo të shpronësojnë banorët, ne nuk do të lejojmë asnjë. As për parcelën këtu ku jemi mbledhur sot, as për pjesët e tjera të zonës së Orikumit, Dukatit, Tragasit dhe Radhimës", u shpreh njëri prej banorëve. Ndërsa një banore tjetër nga Dukati është shprehur: “Unë jam dukatase brez pas brezi, nuk e meritoj të më quajnë hebre. Orikumi dhe Dukati janë popull autokton, jo hebrenj”.

Ata deklarojnë se do të vijojnë rezistencën për mbrojtjen e pronave që pretendojnë se u përkasin, ndërsa çështja e pronësisë mbetet për t'u sqaruar./ZËRI

Poll

MOS HUMB