Aktualitet

"Pengmarrja" në Astir/ Zbardhet dëshmia e shoqeve të 21-vjeçares: Konsumuam kokainë! 5 djemve u shtohet tjetër akuzë

Shoqet e të resë pohuan se në mbrëmje kishin konsumuar kokainë.

k.m.
"Pengmarrja" në Astir/ Zbardhet dëshmia e shoqeve të
Joni Sadikaj dhe e reja

TIRANË- 5 djemve, të cilët janë shpallur në kërkim për ngjarjen që ndodhi në Astir, tashmë u është shtuar një tjetër akuzë, ajo e "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Kjo për shkak se 3 vajzat që ndodheshin në banesë me ta kanë rrëfyer pranë Policisë se kishin konsumuar lëndë narkotike, të llojit kokainë. Sipas dëshmisë që ka siguruar "A2CNN", shoqet e 21-vjeçares që telefonoi Policinë e Shtetit, pranuan se kishin shkuar me dëshirën e tyre në banesë. Madje shtuan se ishte e reja ajo që i kishte ftuar për të marrë pjesë në festë.

Madje, ishin po këto që pohuan se në mbrëmje kishin konsumuar kokainë.

Një ditë më parë, vajza dëshmoi se nuk është dhunuar dhe ka shkuar vetë me dëshirë në banesën me qira ditore, por sqaroi se kishte telefonuar Policinë për shkak se ishte ndjerë e frikësuar kur në banesë kishte parë armë zjarri dhe jelekë anti-plumb. Po ashtu, ka ndryshuar versionin duke u shprehur se Joni Sadikajn nuk e kishte të dashur, ashtu siç pretendoi në fillim, duke theksuar edhe se familja ishte kundër lidhjes së saj. Përkundrazi në dëshminë e re, 21-vjeçarja tha se me Joni Sadikajn ishte njohur vetëm një ditë më parë në një lokal të zonës së Astirit dhe se ishte ai që i kishte kërkuar të ftonte edhe shoqet. 

Megjithatë, edhe pse e reja pretendon se ka shkuar me dëshirën e saj në banesë, 5 të rinjtë akuzohen për "armëmbajtje pa leje", si edhe për "heqja e paligjshme e lirisë". Tashmë, në kërkim janë shpallur: Joni Sadikaj, Skerdi Sina, Ogert Alia, Arnold Jaho dhe Anduel Alia. Të gjithë janë me precedentë penalë. Vetë Joni Sadikaj, në vitin 2017 u arrestua në Kavajë bashkë me 4 persona të tjerë me akuzën e tentativës së trafikimit drejt Italisë së 1.3 tonë kanabis. Ndërsa verën e vitit 2022 u prangos në Vlorë për armëmbajtje pa leje.

Çfarë ndodhi në Astir?

Telefonata e një vajze, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga disa persona në një banesë në katin e tetë të një pallati në Astir, alarmoi ditën e djeshme (9 janar 2025) Policinë e Tiranës. Forcave RENEA iu desh të hipin në tarracën e pallatit dhe të zbresin me litarë në ballkonin dhe dritaren e apartamentit në katin e tetë, pasi vajza e identifikuar me inicialet S.Q. nuk prante të hapte derën. Në banesë u gjet vetëm vajza dhe askush tjetër./ZËRI

Poll

MOS HUMB