Aktualitet

Iu bë atentat në Vlorë, zbardhet dëshmia e Kevin Hajrulla: S'shoqërohem çdo ditë me Inezin

Kevin Hajrulla iu deshën 3 ndërhyrje kirurgjikale që i riu t'u mbijetonte plagëve të marra, por ende ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

k.m.
Iu bë atentat në Vlorë, zbardhet dëshmia e Kevin Hajrulla:
Kevin Hajrulla

TIRANË- Kevin Hajrulla, 30-vjeç, i ka shpëtuar një atentati që mund t'i kishte marrë jetën. I riu u qëllua mbrëmjen e 17 dhjetorit, në zonën ku banonte në Vlorë. Iu deshën 3 ndërhyrje kirurgjikale që i riu t'u mbijetonte plagëve të marra, por ende ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Së fundmi, tashmë që është në gjendje më të mirë shëndetësore ka dhënë edhe dëshminë e tij para uniformave blu. Sipas të riut, edhe pse ka lidhje të ngushta familjare me Inez Hajrulla, këtë të fundit nuk e takon shpesh. Por edhe vetë shton se nuk ka konflikte me askënd.

"Nuk shoqërohem në përditshmëri me Inezin. Me Inezin takohem rrallë. Ndodh që takohemi në raste familjare. Nuk i kam njohur ekzekutorët, por kam ndjerë erën e barutit kur u qëllova dhe rashë pa ndenja. Jam traumatizuar dhe s’mbaj mend momentin kur jam qëlluar. Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe për një kohë të gjatë kam punuar në call center,"-mësohet se është shprehur i riu. Ndërkohë që deri më tani, Policia nuk ka mundur që të gjejë të afërmin e të plagosurit. Inez Hajrulla dyshohet se ka lëvizur nga vendi dhe jeton jashtë shtetit, ndaj marrja e dëshmisë së tij është e pamundur. 

Për hetuesit, atentati ndaj 30-vjeçarit është pasojë e përplasjes së grupeve kriminale në Vlorë. Më konkretisht përplasjes mes grupit të Inez Hajrullait dhe familjes Sinomati.

HISTORIKU I PËRPLASJEVE NË VLORË:

Këto dyshime të hetuesëve përforcohen edhe me faktin se disa ditë pas tentativës për të vrarë Kevinin, në shtëpinë ku jetonte Bernard Sinomati u dërgua tritol me dron. Për më tepër që për Policinë Hajrulla, nuk konsiderohet si eksponent kriminal apo me rekorde kriminale, por goditja e tij është kryer në shenjë hakmarje kundër mikut të tij Inez Hajrulla. Ky i fundit prej disa kohësh është larguar nga qyteti i Vlorës së bashku me disa nga drejtuesit e grupit, duke qëndruar në një qytet të Spanjës. Ekspertët e policisë së Vlorës e analizojnë ngjarjen si goditje me qëllim për të nxjerrë nga vendi ku qëndron i fshehur, Inez Hajrulla.

Ndërsa kundërshtarët e tij të betuar janë Armando Sulejmani “Çipuri”, Sokol Sinomati “Buzderi” dhe Fatmir Hyseni “Doçja”.

Lidhur me ngjarjen, autorët e atentatit besohet se kanë qënë tre persona, ku pas kryerjes së krimit automjeti me targa italiane, është djegur në zonën e Panajasë në dalje të Vlorës. Por deri më sot, nuk ka asnjë të dhënë që mund të zbulonte për Policinë detaje që mund të sillte identifikimin e tyre. Mesa duket, as Kevin Hajrulla nuk i ka parë atentatorët e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB