
ELBASAN- Pas përzgjedhjes së Ilir Prodës si kryepolic, ditën e sotme është përzgjedhur edhe zëvëndësuesi i tij në Elbasan. Përkohësisht, Ulian Shpataraku do të zëvëndësojë Prodën në krye të Policisë së Elbasanit. Shpataraku aktualisht po mban detyrën e shefit të sektorit për hetimin e narkotikëve dhe trafiqeve.
Ai do e mbajë këtë detyrë deri në përzgjedhjen e drejtorit të ri të DVP Elbasan përmes një konkursi që do të hapet së shpejti. Por drejtori i ri i Policisë së Elbasanit nuk është edhe një emër aq i panjohur pasi në vitin 2023, ai u pezullua përkohësisht nga detyra nga drejtoria Rajonale e AMP-së Elbasan-Korçë pasi shoqëroi dhe më pas liroi një të shpallur në kërkim.
Njoftimi që ka mbërritur në adresë të efektivëve të Policisë Elbasan:
“Përshëndetje të nderuar, paraprakisht ju bëj me dije se, duke filluar nga data 03.10.2024, deri në përfundimin e përzgjedhjes së kandidaturës për Drejtorin e Policisë Vendore të Elbasanit, sipas nenit nr. 61 pika 2 germa d, ushtrimi i delegimit të kompetencave do t’i kalojë punonjësit të policisë, Komisar Ulian Shpataraku, i cili aktualisht është me detyrë Shef Sektori në Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan”
Ilir Proda u emërua si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me vendim të kryeministrit Edi Rama. Proda e mori detyrën si kreu i Policisë pasi Muhamet Rrumbullaku hoqi dorë nga kjo detyrë. Kryepolici i ri u zgjdh përmes një garë të njoftuar nga ministri Ervin Hoxha disa javë më parë./ ZËRI