
VLORË- Qyteti i Vlorës prej ditës së djeshme ka qenë nën pushtetin e shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve. Rrugët e qytetit u kthyen në lumenjë, ku shumë banesa, biznese dhe makina u përfshinë nga uji. Që prej ditës së djeshme në disa zona u ndërpre energjia elektrike pasi kabinat u mbushën me ujë dhe për të shmangur tragjeditë, OSHE vendosi t’i ndërpresë shërbimet deri sa situata të normalizohet.
Bashkia e Vlorës dje evakuuoi 33 familje me 55 pjesëtar në konvikt për shkak të ujit që hyri në banesa. Sot emergjencat civile ndodhen në terren për të larguar ujin dhe objekte të ndryshme që kanë bllokuar akset.
Ndërsa shumë banorë bëjnë apel se ata kanë humbur gjithçka dhe nuk mund të jetojnë më në banesat e tyre për shkak të problemeve të shkaktuara. Balta dhe gurjet që kanë sjellë vërshimat e ujit e kanë vështirësuar qëndrimin në shtëpi.
“Nuk futemi dot në shtëpi. Aq shumë shira të rrëmbyeshëm kanë rënë saqë ne na kanë bllokuar komplet hyrjen, na janë mbushur dhomat me gurë dhe me baltë. Dëmet janë të mëdha, nuk kemi as tesha për t’u mbuluar. Kemi bërë thirrje dhe nuk na janë përgjigjur”, tha një banor.
Banorët shprehen se ata nuk kanë më as rroba për t’u ndërruar, pasi uji hyri kudo në shtëpi dhe i mori ato ose janë të lagura.
“Ka ardhur uji deri në brez, shtëpia u mbyt komplet. Kërkoj strehim. Jetoja me qera, nuk kam asnjë lloj ndihme. Kam 4 vajza të mitura. Besoj se do më ndihmojnë”, shprehet Vjollca Goxhaj, një banore që humbi shtëpinë.
Qytetarët janë shprehur se ata kanë kërkuar ndihmë në momentet e vështira, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga instuticionet përkatëse dhe janë mbledhur të gjithë të afërmit duke u përpjekur të shpëtojnë njëri-tjetrin. Madje ata thojnë se janë detyruar të dalin me not nga shtëpitë e tyre, pasi u bllokuan.
“Nga dritaret na erdhi uji, nga dera, nga banja, kemi marrë pllaka i kemi vënë lart mbi banjo. Si vullkan, ishte e pamundur, thamë shyqyr të na shpëtojnë fëmijët gjallë. Na është dëmtuar gjithë mobilja, s’kemi asgjë fare, mbajmë duart përpjetë. Uji ishte tamam si det. U bëmë ujë, dimë që notuam,”- tha një tjetër banore.
“Oriz, makarona, çfarë kisha, të tërë kanë ikur poshtë. Nuk do çfarë të them. Që andej, që këtej, nuk dihej nga vinte uji. Ka ndodhur edhe një vit, por jo kështu. Të bëjë televizori. Kërkuar ndihmë? Ku të kërkosh, internet nuk kishe, me laraskat, me ç’të kërkojë. Natën e kaluam jashtë. Kam fjetur në këtë shtëpinë time, aq sa ke fjetur ti. Ne jemi pensionistë, kam edhe një motër të sëmurë. Rroba nuk kemi. Kishim dy pako makarona aty, ikën. Gjithçka në pushtetin e ujit. Tërë natën pa gjumë, s’po e mbarojmë ujin akoma. Ku do kërkoje ndihmë, as drita, asgjë”, that banorja tjetër.
“Është hera e dytë që përmbytemi, herën e parë na tha Bashkia do ju ndihmojmë, asgjë. Mospastrimi i kanaleve. Na kanë lënë pa bukë fare. Djali mbeti brenda, jemi ngritur gjithë fisi e pastruam. Tham se zuri shi si gjithmonë. Jemi mbytur brenda, notonte frigoriferi i mbushur plot mbi ujë. Të gjitha plaçkat, asgjë s’ka ngelur. Vetëm dy televizorë kanë shpëtuar. Kërkova ndihmë dhe radhën e parë, na erdhi komisioni me gjithë kryetarin, na dhanë ndonjë copë pulle që do na vlerësonin plaçkën. Kjo është plaçkë e dytë që ka ikur, s’na e dhanë shpërblimin”, rrëfeu një tjetër banore.
Gjithashtu edhe pronarët e bizneseve janë shprehur se dëmet e shkaktuara janë kolosale me shifra që arrijnë mbi 100 mijë euro. Ata thanë se nuk kishin asnjë ndihmë dhe janë përpjekur vetë të shpëtojnë bizneset e tyre dhe nuk ia kanë dalë mbanë.
“Siç llogaritet është shkaktuar një dëm shumë i madh, nuk mund të them dot një vlerë fikse, por është diku mbi 100 milionë lekë të vjetra, apo duke nisur nga 100 mijë euro produkte farmaceutike. Duke nisur nga kimiket deri tek ato kozmetiket dhe me radhë. Qepeni u ul për të penguar ujin të hyjë, por mbetëm brenda dhe telefonuam për të na nxjerrë jashtë sepse situata arriti deri në 50 cm ujë. Qëndruam diku tek 2 orë brenda për të penguar ujin, por më pas nuk mund ta pengonim dot,"- tha pronari i një farmacie Fotaq Veneti.
Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes raportoi se prej ditës së djeshme Forcat e Emergjencës ndodhen në terren dhe po punojnë për të ndihmuar banorët në nevojë. Po ashtu, bashkia ka nisur bilancin e dëmeve në vend edhe pse ende situata nuk është normalizuar dhe rrugë në zona të ndryshme janë nën ujë dhe banorët po hasin vështirësi në banesat e tyre.
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha tha se se shkaku i përmbytjeve ishte sasia e madhe e reshjeve që ra vetëm për 2 orë e gjysmë, duke shtuar se një sasi e tillë (180 mm shi) është e barazvlefshme me motin e keq të një muaji. Deri më tani, për kryebashkiakun situata është e përmirësuar, por ka ende disa zona problematike, tek të cilat po ndërhyjnë me pompa për të hequr ujin. /ZËRI