Aktualitet

Përmbytjet/ Reagon PD e Vlorës: Të nisin hetimet, nuk u morën masat e nevojshme

Ai shprehet se bashkia nuk ka marrë masat e duhura dhe situata është përkeqësuar

I.F
Përmbytjet/ Reagon PD e Vlorës: Të nisin hetimet, nuk u
Atird Hoxha

VLORË- Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Vlorë, Atird Hoxha ka reaguar për përmbytjet që ndodhen dje në këtë qytet. Ai bëri thirrje Prokurorisë së Vlorës që të nisë një hetim, pasi sipas tij, nuk janë marrë masat e duhura për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët. Në një deklaratë zyrtare, ai shton se Bashkia e Vlorës nuk ka marrë masat e duhura për të përballuar prurjet dhe situata është përkeqësuar për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe mosfunksionimit të sistemeve kulluese.

“Përmbytjet e fundit që kanë goditur qytetin tonë kanë sjellë pasoja të rënda për shumë familje dhe pronat e tyre. Fatkeqësisht, këto ngjarje të rënda dhe të përsëritura janë pasojë e mungesës së investimeve të qëndrueshme në infrastrukturën urbane dhe planifikimin afatgjatë nga ana e bashkisë dhe qeverisë së Rilindjes. Qyteti nën ujë, është një tregues i qartë i papërgjegjshmërisë në menaxhimin e tij.

Përfundimisht, kjo qeveri, ky model nuk kanë më turp e cipë dhe nuk duan të dinë më për qytetin e qytetarët. Mungesa e energjisë elektrike në të gjithë qytetin për orë të tëra ka përkeqësuar gjendjen në shumë zona për shkak të mosfunksionimit të sistemeve.

Drejtuesit e institucioneve duke filluar nga Kryetari i Bashkisë Vlorë Dredha, në rehatinë e tyre e pritën të pushoi shiu dhe u jepnin urdhër punonjësve që i lanë në mëshirë të fatit, pa mjete me rrogë qesharake, ndërkohë që rrogat e tyre i shtuan i bënë miliona.

Sot me siguri do ti shihni tek nxitojnë të hedhin foto me punonjës e makina, duke na treguar se po punojnë për rikthimin e normalitetit. Një popull që paguan taksa për zyrtarët që e drejtojnë por që mbytet nga keqqeverisja për 30 minuta, është një popull i vjedhur në mënyrë kriminale dhe i përbuzur nga arroganca dhe cinizmi.

Vlora dhe vlonjatët nuk e meritojnë këtë. Në këto kushte Partia Demokratike Dega Vlorë i bën thirrje Prokurorisë të nisi menjëherë hetimin për situatën e krijuar në qytetin tonë pasi është e qartë se nevoja për masa paraprake dhe efektive nuk është përmbushur, duke lënë qytetin të pambrojtur e në mëshirën e fatit”, thuhet në deklaratën e tij.

Një ditë më parë, situata në këtë qytet ishte alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut, daljes jashtë kontrollit të kanalit të ujërave të larta dhe përmbytjeve në shumë lagje. Për shkak të prurjeve, 33 familje me 55 anëtarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në konfikt. Të tjerët kanë mbetur pa energji elektrike deri në largimin e ujit nga kabinat elektrike. Në Vlorë ka shkuar edhe Ushtria, e cila po punon puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve. Por edhe Ministria e Mbrojtjes, njëjtë si Bashkia, njofton se situata po shkon drejt përmirësimit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB