TIRANË- Vrasja e Franc Konomit, një prej ngjarjeve më të përfolura, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Pas 16 vitesh në heshtje, familjarët e të ndjerit Franc Konomi kanë vendosur të flasin publikisht për çështjen e pasurisë së trashëguar.
Në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, me juristen Eni Çobani, bashkëshortja e Konomit, Rovena, ka rrëfyer historinë e saj dhe kërkon të drejtën mbi pronën që sipas saj, i takon si trashëgimtare.
Këtu del në pah një konflikt i gjatë familjar, ndërsa bashkëshortja e tij, Rovena ka ngritur pretendime për hotelin e ndërtuar nga Franci dhe akuzon publikisht kunatin e saj, Adin. Ky i fundit, sipas rrëfimit të saj, pas vdekjes së Francit, e ka përvetësuar dhe shitur hotelin.
"Franci ka lënë shtëpinë e tij, ka një hotel të cilin e ka ndërtuar gjithë këto vite, që kemi qenë në Gjermani. Unë mundoja që të investoja dhe të jepja një kontribut sa të mundja...Pyeta se i kujt ishte ky hotel, më thanë “ka qenë i Franc Konomit, e ka marrë Adi Konomi dhe ia ka shitur një personi tjetër”. Si mund të shesësh ti një pronë që nuk është e juaja. Ai nuk ka kontribuar kurrë për shtëpinë, ka qenë Franc Konomi që i ka mbajtur, e di një Tiranë e tërë.", është shprehur Rovena.
Ajo ka rrëfyer gjithashtu një tjetër episod që, sipas saj, ka ndodhur pak ditë pas vrasjes së bashkëshortit. Rovena pretendon se vëllai i Franc Konomit ka larë dhe ka përdorur makinën në të cilën ai kishte humbur jetën.
"Kur pas një jave shikoj vëllain e vet, e kishte larë makinën dhe lëvizje në mes të Tiranës. Të vritet vëllai jot dhe ti të hipësh te ajo makinë, ku ka dhënë shpirt?!", shprehet ajo.
Franc Konomi ishte personi i fundit i mbetur gjallë nga ai grup të rinjsh që në Tiranë konsideroheshin “të fortë” e bënin ligjin në vitet ’90. Në vitin 2010, ai u qëllua për vdekje me 10 plumba në mes të Tiranës nga dy vrasës me motor.
“Rreth orës 11:20 të datës 8 korrik 2010, në afërsi të “Pazarit të ri”, në Tiranë, në rrugën kryesore përballë një banke, Franc Konomi është vrarë me armë zjarri. Ai është gjetur i vrarë në makinën e tij “Mercedez Benz”, ngjyrë e zezë. Në kohën që ai është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri, ku si pasojë e goditjeve ka vdekur në vend. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë fiksuar në cilësinë e provës 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetër dhe 3 predha”, njoftonte policia asokohe./ZËRI