
TIRANË-Ditën e sotme u publikuan nga gazetari Eraldo Harlicaj pamjet e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Pas publikimit të tyre, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka shprehur shqetësim në lidhje me shpërndarjen e videove që shfaqin pamje të para dhe pas vrasjes së 14-vjeçarit. Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi në një deklaratë për mediat u ka bërë thirrje të gjitha operatorëve të shërbimeve mediatike audiovizive të mos transmetojnë këto pamje. Ajo ka paralajmëruar masa ndëshkimore për shkelësit e ligjit.
Krasniqi thekson se publikimi i këtyre pamjeve jo vetëm shkel etikën njerëzore, por është edhe në kundërshtim me kodet e profesionit dhe legjislacionin në fuqi. Kryetarja e AMA-s shprehet se publikimi i pamjeve të tilla përbën abuzim, duke lënë pas anën e saj njerëzore dhe kërkon të respektohet dhimbja e familjarëve.
REAGIMI:
Paralajmërim! Po ndjek me shumë shqetësim rrjedhën dhe shpejtësinë e shpërndarjes së një videoje që na kthen pas, në ngjarjen e rëndë që ndodhi në kryeqytet, nëntorin e vitit të kaluar, viktimë e së cilës mbeti një 14-vjeçar. Disa media po rendin të publikojnë pamjet e momentit të para dhe pas vrasjes së tij.
E mirëkuptoj ndjeshmërinë e lartë mbarëshoqërore për ngjarjen që përbën motiv të mjaftueshëm angazhimi edhe për profesionistët e medias në përgjithësi, dhe asaj audiovizive në veçanti, të cilët kanë informuar dhe vazhdojnë të jenë të interesuar për ngjarjen apo hetimin që erdhi pas saj. E mirëkuptoj edhe dëshirën e mirë të tyre për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Por KUJDES!
Gara për shikueshmëri nuk duhet të vihet kurrë përpara etikës dhe zbatimit të ligjit që është plotësisht i qartë dhe i rreptë në këtë drejtim. Publikimi i pamjeve të tilla përbëjnë abuzim, me synim shfrytëzimin e ngjarjes nga këndvështrimi sensacional, duke lënë pas anën e saj njerëzore. Në emër të interesit më të lartë të fëmijës, respektit ndaj dhimbjes së familjarëve, ndjeshmërisë së mbarë opinionit publik shqiptar dhe detyrimit shoqëror gjithëpërfshirës, i bëj thirrje çdo OSHMA-je të mos transmetojë pamje të tilla
Të nderuar kolegë! Ruani etikën!
Respektoni dhimbjen e humbjës së një fëmije!
Respektoni kodet profesionale dhe ligjin!
AMA është në ndjekje të çdo rasti dhe çdo shkelje do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, por thirrja ime sot shkon për të gjithë profesionistët e medias që të mos lejojnë një shkelje që kushton shumë. Mbetem shpresëplotë se reagimi i kolegëve të mi që drejtojnë edicionet informative dhe jo vetëm, do të jetë si i deritanishëm: I shpejtë, me përgjegjësi dhe konform ndërgjegjes njerëzore, etikës profesionale, por edhe standardeve e parashikuara në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, në Kodin e Transmetimit dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi.
Çfarë tregonte vidoja e publikuar?
Në imazhet e publikuara nga gazetari, evidentohet se Martin Cani dhe Mario Përlleshi janë dy të miturit që "u prijnë shokëve" dhe shkojnë bashkë për t'u sqaruar. Secilin prej tyre i ndjekin nga pas disa adoleshentë të tjerë, mes tyre edhe Luis Meçja.
Martin Cani dhe Mario Përlleshi janë të parët që ecin paralel me njëri-tjetrin, nga pas i ndjekin Kledon Bekaj, Kingston Korbi dhe Armand Marku. Ndërsa në fund fare u bashkohen Klevis Tema, Marseld Sina dhe Luis Meçaj. Pasi ndodh plagosja, të miturit largohen me vrap nga vendi i ngjarjes. Të parët që ikin janë Korbi, Marku dhe Cani. Ky i fundit mban zemrën me dorë, pasi aty është qëlluar me thikë nga bashkëmoshatari i tij. Pas tyre vrapojnë Meçaj, Bejkaj dhe Përlleshi. Më pas, Përlleshi kthehet dhe ikën me vrap në drejtim tjetër, atje ku ndodhi ngjarja.