TIRANË-Administratori i kompanisë KAYO, Ardi Veliu, ka dhënë versionin e tij lidhur me audio-përgjimin e publikuar nga ish.zv/kryeministri Arben Ahmetaj në emisionin “Çim Peka Live”, ku ngriti një sërë akuzash, mes tyre për një skemë të trafikut ndërkombëtar të armëve, ku përfshihet Shqipëria.
Në qendër të denoncimeve të Ahmetajt ishte biznesmeni amerikano-izraelit Ron Yeffet dhe kompania "KAYO", ku, sipas përgjimeve të publikuara nga ish.zv.kryeministri, në biseda diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen garat dhe procedurat e tenderimit përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri. Lidhur me këto akuza. Veliu në një intervistë për 'Opinion' tha se Shqipëria nuk po bën trafik armësh. Veliu tha se deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, pasi nuk ka asnjë lloj mundësie qoftë dhe teorike që t’i futet këtij procesi.
Administratori i KAYO shpjegoi edhe çështjen e aksioneve ku nga 45% të parashikuara fillimisht tani ka 20% të aksioneve ndërsa 80% i ka kompania TIMAK, në të cilën është aksioner edhe biznesmeni izraelito-amerikano-shqiptar Ron Yeffet që del në audiopërgjim.
Ardi Veliu: Para se të konkretizonim një bashkëpunim, ne duhet të marrim një VKM ku na përcaktohet mënyra dhe kushtet sesi duhet të negociojmë. Pasi morëm VKM, kaluam në bordin e KAYO-s dhe u mor autorizimi që të ngrihej grupi negociator. Ne ngecëm në negociata, pasi në mes TIMAK u tërhoq dhe solli plan biznesi të ri, ku e trefishonte investimin, know how, gjë që çoi edhe në reduktimin e aksioneve të kompanisë. Në këto kushte u kërkua nga bordi ripërcaktim i kushteve të negocimit. Pasi doli VKM me kushtet e reja, u arrit ajo marrëveshje. TIMAK ka shitur aksionet në rrugë e sipër. Negociatat tona kanë nisur me TIMAK. Unë Ron Yeffet e kam takuar ditën kur është themeluar kompania se ishte aksioner. Se çfarë thotë x apo y në jetën e tij private, kjo është përgjegjësi e atyre, jo e jona. Nuk jemi përfshirë në trafik armësh. Zero. Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, se fabrikat që kemi marrë dhe i kemi në pronësi, aktiviteti është zero i prodhimit, nuk kemi asnjë lloj mundësie, qoftë dhe teorike, që t’i futemi këtij procesi.
Veliu ka sqaruar se shuma e parave 15 milionë euro që TIMAK Defence duhet të investojë në marrëdhënien e partneritetit është në vijim dhe e ndarë në disa faza dhe kryesisht do të shkojnë për rivitalizimin e ambienteve që do të shërbejnë si fabrika.
TIMAK dhe KAYO kanë krijuar kompaninë TIMAK Defence, e cila synon prodhimin dhe përshtatjen e automjeteve sipas nevojave të Forcave të Armatosura shqiptare. Në këtë kompani, KAYO zotëron 20% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër i përket TIMAK. E pyetur se përse i kishte shitur 49% të aksioneve Yeffet, Pronarja e kompanisë “TIMEK” Arjeta Puca tha se synonte të rritej më shpejt dhe se kishte nevojë për një partner me eksperiencë dhe mundësi financiare.
Ndërkohë SPAK ka vendosur të nisë verifikimet lidhur me denoncimet e bëra nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, gjatë një interviste në emisionin “Çim Peka Live”. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që t'i vihet në dispozicion i gjithë materiali emisionit përfshirë këtu dhe audio-përgjimet bruto të transmetuara në publik. Mbetet për tu parë nëse audio-përgjimi është i vërtetë dhe nëse Shqipëria është e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve./ZËRI



