LUSHNJE-Banorët e fshatit Imshtë të njësisë Bubullimë në Lushnjë kanë protestuar sërish sot kundër ndërtimit të një parku fotovoltaik në zonë. Banorët e kanë zhvendosur protesën para komisariatit të Lushnjës.
ZËRI më herët raportoi se panelet fotovoltaike do të instalohen në pronën publike nga kompania “EuroElektra Sh.p.k,” me pronar Elton Çekrezin, por për banorët kjo tokë është e shtetit dhe prej vitesh është në përdorim të tyre, për të mbjellë prodhime bujqësore. Banorët deklarojnë se toka është në përdorim të tyre që prej vitit 1994, me akt-përdorimi nga ish-Komuna Bubullimë. Bëhet fjalë për rreth 100 hektarë brenda basenit të lumit Seman.
Përplasja nisi që të dielën, kur investitori tentoi të rrethonte zonën me struktura betoni, por hasi në rezistencën e banorëve. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ndau pamjet nga protesta, duke denoncuar se po ndodh një grabitje e tokës publike për ndërtimin e këtij parku.
Braçe thekson se, sipas ligjit, toka është pronë e shtetit dhe çdo veprim për ta përvetësuar përbën grabitje dhe shpërdorim detyre nga ana e policisë. Deputeti njofton se prej një viti e gjysmë e ka kallëzuar çështjen në Prokurori dhe se javën e kaluar ka konfirmuar në Prokurorinë e Fierit që ajo është ende nën hetim dhe në fazën e dytë të veprimeve hetimore.
Toka i është shitur biznesmenit Elton Çekrezit, i cili synon ndërtimin e parkut fotovoltaik. Ky i fundit ka deklaruar rreth një vit më parë se toka është blerë me kontratë noteriale nga një familje ish-pronarësh, të cilët e kanë fituar pronësinë e saj me vendim të kthimit dhe kompensimit të vitit 1998./ZËRI
