TIRANË-Gjino(Shkelqim) Lleshaj dhe Pajtim Braçaj, janë dy personat që iu sekuestruan nga Prokuroria dhe Policia e Tiranës pasuri me vlerë 200 mijë euro. Bëhet fjalë për 1 apartament në Selitë dhe 1 garazh në Selitë të Vogël. Dyshja rezultojnë të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, njëri në Itali dhe tjetri në Shqipëri.
Ky i fundit i lidhur me transportin e drogës nga Kruja në laboratorin në Durrës, i cili ra në pranga gjatë një aksioni të zhvilluar në vitin 2015, ku u arrestuar 7 persona, kryesisht biznesmenë. Bëhet fjalë për Pajtim Braçaj, i cili njihej si pronari i kompanisë së naftës "Trade Petrol & Drilling" me seli në Fier e Tiranë, kompani e cila merret me përpunimin e naftës bruto të prodhuar nga Armo.
Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të regjistrimit të biznesve Pajtim Braçaj, rezulton Administrator dhe Aksioner me 100% të kapitaleve në kompaninë Trade Petrol & Drilling me seli në Fier.


TPD-Trading Petrol & Drilling është krijuar në maj të vitit 2012, sipas të dhënave nga QKR. Kompania ka njohur rritje të shpejtë, duke e shtuar xhiron me 440% në 2014, në 16.5 miliardë lekë, duke u renditur kompania e 11 më e madhe në vend, në bazë të xhiros vjetore. Por që nga viti 2012, administratorët e kompanisë TP&D Oil kanë ndryshuar disa herë.

Braçaj njihet si një individ i lidhur me aksionerët e kompleksit “Taiwan” në Tiranë, ku vëllai i tij, Avni Braçaj, zotëron 10% të aksioneve.

Në tetor 2015, Braçaj u arrestua së bashku me Ajet Sulajn, vëllain e Besnik Sulajt, si pjesë e një grupi kriminal të akuzuar për trafikimin e 700 kilogramëve kanabis. Arrestimet e këtij grupi u bënë në Shkodër, Tiranë, Krujë, dhe Durrës, ku u sekuestruan 700 kg kanabis. Asakohe në pranga u vendosën Iqmet Pashollari 61 vjeç, banues në Durrës -(Pronar i vilës laborator), Bejto Kotaj , Ajet Sulaj, Festim Xhelilaj, Pajtim Braçaj, Qerim Xeka dhe Lutfi Xeka./ZËRI
