Aktualitet

"Armën na e dha 'sakati', por Skerdit i ngeci"/ Atentati ndaj Lulzim Mashës, Hoxhaj: Dumani na dha 250 mijë euro për...

Hoxhaj ka dëshmuar lidhur me atentatin e biznesmenit Lulzim Masha, ngjarje e ndodhur më 18 janar 2022, për të cilin ka zbuluar se porositësi ishte Nuredin Dumani.

zh.ll
"Armën na e dha 'sakati', por Skerdit i ngeci"/
Lulzim masha-Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj

TIRANË- Seanca për dosjen e "Plumbi i artë" ka vijuar sot në Gjykatën e Posaçme, ku ka dëshmuar i pandehuri Henrik Hoxhaj. Ky i fundit ka rrëfyer detaje për disa nga ngjarjet më të rënda kriminale në vend, që nga porositësi e deri të pagesa. 

Hoxhaj ka dëshmuar lidhur me atentatin e biznesmenit Lulzim Masha, ngjarje e ndodhur më 18 janar 2022, për të cilin ka zbuluar se porositësi ishte Nuredin Dumani. Sipas të pandehurit, porosia fillimisht ishte dhënë për vrasjen e djalit të Mashës, por nuk e kishin gjetur. Në këto kushte, sipas Hoxhajt,  menduan që t'i eliminonin të atin, në mënyrë që në varrim të shfaqej djali i Mashës dhe ta ekzekutonin. Hoxhaj shtoi se për vrasjen e Lulzim Mashës, Dumani i kishte ofruar 150 mijë euro, ndërsa 100 mijë euro për kokën e djalit.

Për të vrarë Lulzim Mashën, Hoxhaj tregon se kishte pajtuar Skerdi Tasen, por ky i fundit nuk arriti ta eleminonte dot biznesmenin. Në momentin e atentatit, Tase ka qëlluar drejt Mashës, por i ka ngecuar arma.

“Për Lulzim Mashën, porosinë për këtë rast, Nuredini ma ka dhënë në Kosovë, në Gjilan atje rrinte. Porosia fillimisht ishte për djalin e Lulzim Mashës, por nuk e gjetëm. Nuredini më tha se vajza e Lulzim Mashës kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari dhe pas ndarjes, këta Mashat nuk i kishin kthyer disa para apo prona që Dizdarët kishin kaluar në emër të tyre. Armën për ngjarjen na e dha “sakati”, Nuredini na lidhi me të, kjo arme u përdor, por i ngeci për dreq Skerdit atë ditë, unë kisha berë dhe prova 2 ditë para kisha qëlluar. Nuk po gjenim të birin dhe menduam të godisnim të atin që të vinte ky nga jashtë, kështu i bënim ne këto punë. Kur bëmë ngjarjen ndaj Lulzim Mashës, unë dëgjoja çdo gjë në radio, se kisha radio policie. Skerdi doli huq dhe i ngeci arma, në radio jepeshin përshkrimet e tij , me këtë bluzë kaq i gjatë etj.”, u shpreh Hoxhaj.

Lulzim Masha u shpëtoi plumbave në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë teksa udhëtonte me mjetin e tij tip “Mercedes Benz”, të llojit "ML". Drejt tij u qëllua disa herë nga personi që tashmë është vënë në pranga, Skerdi Tase, por asnjë nga plumbat nuk e kapi. Ngjarja e mbyll me vetëm dëme materiale në mjetin e Mashës. Vetë ky i fundit dëshmoi se nuk kishte konflikte me askënd, por Dumani tregoi se kishte marrë udhëzime nga Çela për organizimin e atij atentati dhe të një tjetri të zhvilluar në Elbasan për eliminimin e Elton Kilës./ZËRI

Poll

MOS HUMB