
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për të kaluar për gjykim 7 të pnadehurit për dosjen “Metamorfoza”. Të pandehurit janë biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-drejtori i "Operacionales", Oltion Bistri dhe ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita. Po ashtu, të pandehurit e tjerë janë: Behar Brajoviç (Bajri), Edmond Preka, Astmer Bilali dhe Ardit Hasanbegaj. Në seancën e fundit, mbrojtja e të pandehurve pretendohet se mesazhet që janë transkriptuar nuk janë dokumente apo fakte siç janë pretenduar deri më tani nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por thjesht përgjime!
Kështu që duke argumentuar qëndrimin e tyre, të akuzuarit kundërshtojnë mënyrën sesi janë tërhequr nga ana e SPAK, aktet që janë vendosur në dispozicion nga autoritetet belge e franceze. Por pretendimi i tyre do të shqyrtohet nga Gjykata Kushteuese. Po ashtu, në seancën e shkuar, gjykim të shkurtuar ka kërkuar ish-prokurori Xhevahir Lita, Oltion Bistri dhe Asmer Bilali, ndërsa biznesmeni Pëllumb Gjoka ka vendosur që të ketë gjykim të zakonshëm dhe të pandehurit e tjerë.
Pas mbylljes së hetimeve, për disa prej të dyshuarve ka rënë akuza kryesore e grupit të strukturuar kriminal. Ish-shefit të policisë operacionale, Oltion Bistrit, i është hequr akuza e shpërdorimit të detyrës, dhe është akuzuar vetëm për "korrupsion". Por edhe për ish-prokurorin Xhevahir Lita është zbutur akuza, i cili tashmë nuk do të hetohet zyrtarisht për akuzën e grupit kriminal. Ish-zyrtari i drejtësisë do të përballet me gjykatën për akuzën e akuzat e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor. Vetë Lita ka pranuar para hetuesve se ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC.
Hetimet e Metamorfozës kulmuan pas përcjelljes së letërporosisë nga autoritetet franceze, ku rezultoi se në dhjetra biseda, Bajri komunikonte me të zhdukurin me Ervis Martinaj për vrasjen e Gjon Boriçit. Kjo dosje është veçuar nga ana e SPAK, sa kohë që Martinaj prej afro dy vitesh rezulton një person i zhdukur. Në përgjime rezultonte gjithashtu se Martinaj garantonte se do të eliminonte Kleanth Musabelliun për interes të Pëllumb Gjokës. Bisedat dhe provat e mbledhura nga hetimi tregojnë se Astmer Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin, atentate që dështuan./ZËRI