
ELBASAN- Banorët e njësisë administrative Pajovë kanë dalë në protestë duke kërkuar masa të shtuara sigurie për aksin Peqin -Pajovë-Elbasan. Në këtë rrugë, vetëm pak ditë më parë humbi jetën një 8-vjeçar, i cili u aksidentua për vdekje nga një mjet që qarkullonte në zonë. Kështu që banorët kanë dalë në protestë për të sensibilizuar strukturave shtetërore për marrjen e masave që të eliminohet rreziku nga aksidentet rrugore.
Për mediat e pranishme foli edhe babai i 8-vjeçarit Enio, Flamur Tabaku, të cilit i dridhej kërkoi drejtësi për jetën e humbur të të birit.
“Dua që ata që e kanë vrarë, dua ndihmë nga shteti që ata që janë të kalben në burg. Dua të ketë rregull në rrugë, që të ulin shpejtësinë, fatin e tij mos e pësoftë asnjë. Këtë dua! Si ndodhi ngjarja? Çuni ishte te shtëpia. Do takonte shokët e vetë dhe do luanin këtu. Ishte ditë për Halloween. Duke ardhur i ra një makinë mbrapa. I ra mbrapa dhe kështu ndodhi. S’kam çfarë them më tepër,”- tha i ati.
Duket iu drejtuar Autoritetit Kombëtar Rrugor, Bashkisë, Komisariatit të Policisë Peqin banorët kanë kërkuar vendosjen e sinjalistikës rrugore, ngadalësuesve të shpejtësisë përgjatë aksit të rrugës. Banorët e zonës shprehen se në këtë zonë u rrezikohet jeta, ndaj edhe kërkojnë marrjen e masave urgjente nga institucionet përkatëse.
Protestuesit kërkuan që në zonën e banuar të vendosen kufizues shpejtësie dhe të ketë polici në hyrje të rrugës pranë shkollës.
Pajova është qendër administrative dhe një zonë e populluar në të dy kahet e saj. Aty pranë ndodhet shkolla, ka shtëpi banimi, kanë aktivitet biznese të ndryshme të cilët çdo ditë jetojnë me frikën e aksidenteve./ZËRI