TIRANË- Ergys Agasi do të njihet ditën e nesërme me masën e sigurisë në sallat e GJKKO-së. Seanca do të mbahet në orën 09:30, ku biznesmeni që akuzohet nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t do të përballet me trupën gjykuese.
ZËRI siguroi imazhin ku Agasi i shoqëruar nga ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku tentuan të arratisen drejt Shkozetit, para se të arrestoheshin nga forcat Shqiponja në aksin Golem-Plepa në Durrës mbrëmjen e djeshme.
Në foto shihej audi luksoz rS8 teksa tentoi të thyejë postbllokun e ngritur për kapjen e tij, ndërsa një efektiv i Shqiponjave u ka dalë përpara me Kallashnikov, duke bllokuar lëvizjen e automjetit ku ndodhej Agasi dhe Shpataraku.
SPAK njoftoi se arrestimi i Agasit u realizua pas një pune disajavore të strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’./ZËRI
