
TIRANË- Rrëmbimi i Edvar Agalliut duket se nuk ka pasur si prapaskenë ngacmimin e të dashurës së një prej personave që e rrëmbyen, por një borxh i marrë në institucionin financiar “IuteCredit”. Togat e zeza të Dhomës Penale në Gjykatën e Tiranës vendosën "arrest në burg" për 5 personat e përfshirë në një pengmarrje, me qëllim për t'i marrë shumën e 20 milionë lekëve të vjetra. Në seancën e sotme, në gjyq ishte Sulejman Sina ai që mori përsipër fajin lidhur me rrëmbimin e 68-vjeçarit. Si bashkëpunëtor, përmendi të vëllanë e tij, Klinton Sinën.
Organi i akuzës përfaqësuar nga prokurori Enklid Gjini zbuloi në gjyq se nga hetimet që përfshijnë këqyrjen e kamerave të sigurisë, por edhe dëshmitë e marra, treguan se ishin dy vëllezërit, bashkë me Idajet Mashollarin ata që morën forcërisht në makinë të moshuarin. Më pas, e dërguan në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë. Pasi kishin marrë peng bashkëshorten e Edvar Agalliut, e kërcënuar se nëse nuk jepte 20 milionë lekë të vjetra, do ta vrisnin të shoqin.
Ndaj edhe kjo e fundit, mblodhi paratë dhe ia dha Bajram Ibraliut në zonën e Saukut. Këto para, autorët do i ndanin në mënyrë të barabartë, por fillimisht bënë një pagesë të rëndësishme. Paguan 3 milionë lekë në institucionin financiar “IuteCredit”, atje ku edhe kishin marrë kredi. Këto para mungonin, pasi Policia gjtei vetëm rreth 17 milionë lekë të vjetra brenda automjetit që drejtohej nga Sulejman Sina, ku pasagjere ishte e dashura e tij, Nikoleta Begolli.
Në këto kushte, vëllezërit Sulejman dhe Klinton Sina, Idajet Mashollari, Bajram Ibraliu e Nikoleta Begolli u lanë në qeli nga gjyqtarja Oleda Lice. Ata rrezikojnë 10-20 vite burg për pengmarrje nëse do të shpallen fajtorë./ZËRI