Vrasja e 30-vjeçarit në Novoselë, gjendet e djegur makina e autorëve

VLORË- Makina e përdorur nga autorët për vrasjen e 30-vjeçarit Kristjan Marku në Novoselë është gjetur e djegur rreth 100 metra larg vendngjarjes. I riu u ekzekutua me breshëri plumbash në ecje e sipër pranë një karburanti në zonën e Novoselës në Vlorë. Sipas Policisë, targat e makinës së përdorur nga autorët janë denoncuar më parë si të vjedhur.
“Në vijim të veprimeve hetimore lidhur me vrasjen me armë zjarri të shtetasit K. M., në autostradën Fier-Vlorë, pranë vendit të quajtur “Kripa”, është gjetur i djegur automjeti tip “Volksëagen Golf”, i dyshuar i përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje. Nga verifikimet paraprake, rezulton se targat e automjetit tip “Golf” janë denoncuar të vjedhura më herët.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore dhe këqyrjen e automjetit të djegur për të siguruar çdo gjurmë që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve”, njofton Policia./ZËRI
Atentati në Vlorë, kush është viktima? Kristjan Marku i bëri atentat nipit të Kastriot Reçit

VLORË-30-vjeçari Kristjan Marku është vrarë sot, pranë një karburanti në zonën e Novoselës në Vlorë. I riu po udhëtonte me mjetin e tij, kur autorët i janë afruar dhe kanë qëlluar në ecje e sipër me breshëri plumbash duke i marrë jetën në vend. I ndjeri ishte një personazh i njohur për Policinë, pasi ishte i shpallur në kërkim për "vrasje me dashje të mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje".
Marku, i cili përdorte edhe mbiemrin Bardhi, dyshohet të jetë autor në ngjarjen e datës 26 mars 2023, rreth orës 19:00, ndodhur në Rrëshen të Mirditës. Dyshohet se ai është një nga personat që ka qëlluar në drejtim të Saimir Reçit. Për ngjarjen në mars të vitit 2023 ishte vendosur në pranga Martin Bardhi, ndërsa në kërkim ishin shpallur djali dhe nipi i të arrestuarit, Erind Videl alias Erind Bardhi dhe Kristjan Marku alias Kristi Bardhi.
Si ndodhi ngjarja?
Përplasja nisi mes dy të rinjve, Enrik Bardhi dhe Saimir Reçi, të cilët ishin konfliktuar fizikisht. Shkaku ishte një parakalim i gabuar me makinë. Por sherri nuk u shua me aq. Enrik Bardhi shkoi në banesë dhe mori armën e zjarrit për të qëlluar bashkëmoshatarin e tij. Bashkë me Enrikun, ka shkuar edhe i ati, Martin Bardhi dhe kushëriri i të riut, të cilët kanë qëlluar në drejtim të makinës së blinduar të Saimir Reçit. Ky i fundit, si pasojë e të shtënave, humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën e rrugës.
Por përplasja duket se nuk u la më aq! Në shtator të po atij viti, në kafenenë e qytetit u vra Martin Bardhi, vetëm pak muaj sapo kishte dalë nga burgu. Për ngjarjen u mor në pyetje Saimir Reçi, por ky i fundit mohoi se kishte lidhje me vrasjen. Familja Bardhi dhe Reçi njihen për armiqësitë me njëra- tjetrën. Për më tepër kur Martin Bardhi është përfolur edhe për përfshirjen në vrasjen e Kastriot Reçit me snajper në mes të qytetit të Rrëshenit./ZËRI
VD- Ekzekutohet 30-vjeçari në Novoselë/ Pamje nga vendngjarja, krijohet trafik në austostradën Fier-Vlorë

VLORË- Një 30-vjeçar është ekzekutuar mbrëmjen e sotme në autostradën Vlorë-Fier, në afërsi të një karburanti. Viktima është identifikuar si Kristjan Marku, 30 vjeç. Sipas pamjeve të mëposhtme, Policia ka rrethuar zonën ndërsa ka nisur hetimet rreth këtij krimi. Po ashtu, për shkak të krimit të ndodhur është krijuar një trafik i rënduar në autostradën Fier-Vlorë.
Sipas Policisë, i riu u qëllua brenda makinës së tij dhe ndërroi jetë në vend.
/ZËRI
Vrasje në Vlorë, Policia jep detajet e para: Viktima, 30 vjeç!

VLORË- Policia e Shtetit ka dhënë detajet e para lidhur me vrasjen që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Vlorë, ku u qëllua për vdekje 30-vjeçari Kristjan Marku. Sipas Policisë, i riu u qëllua brenda makinës së tij dhe ndërroi jetë në vend. Ndërkohë që në zonë kanë nisur kontrollet për kapjen e autorëve.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin K. M., 30 vjeç, i cili ka humbur jetën. Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve./ZËRI