TIRANË- Një 37-vjeçar Gentian Bufazi është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se përmes mashtrimit u ka marrë para punonjësve të bizneseve, duke pretenduar se kishte njohje me pronarët e tyre.
Në pranga ka rënë shtetasi Gentian Bufazi, i cili ishte shpallur më herët në kërkim nga autoritetet.
Sipas hetimeve, 37-vjeçari dyshohet se ka mashtruar punonjësit e dy bizneseve, duke u marrë një shumë prej 20 000 lekësh, të cilën e kishte kërkuar në emër të pronarëve.
Gjithashtu, ai dyshohet se është autor edhe i vjedhjes së një çante, brenda së cilës ndodheshin rreth 25 000 lekë.
Pas arrestimit, materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar të tjera raste që mund të lidhen me aktivitetin e 37-vjeçarit.
Njoftimi i Policisë:
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Në kuadër të operacionit të koduar “Imazhi”, u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim, G. B., 37 vjeç, i cili dyshohet se:
-më datë 14.08.2026, ka marrë 20 000 lekë, në 2 biznese, në rrugët “Brigada VIII” dhe “Teodor Keko”, duke mashtruar punonjësit se ishte i njohur i pronarëve të subjekteve dhe se do t’ua kthente paratë menjëherë, ndërsa më datë 21.08.2026, ka vjedhur një çantë me 25 000 lekë brenda, në një subjekt në rrugën “Skënder Luarasi”.
Vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht veprimtaritë kriminale të 37-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët dhe administratorët e subjekteve që të tregojnë vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj rasteve të mashtrimit, si dhe që në asnjë rast të mos japin para ose të dhëna shtetasve të paverifikuar që i kontaktojnë në mënyra të ndryshme përfshi dhe videot e krijuara me inteligjencë artificiale.
Gjithashtu, Policia e Shtetit fton për denoncim të menjëhershëm të çdo dyshimi, personi të dyshuar, indicieje apo rasti kur bien pre e veprave penale në këtë fushë, pasi vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të shpejtë dhe të ngushtë mundësohet identifikimi dhe kapja e autorëve, si dhe mbrojtja e pronës dhe pasurisë së qytetarëve./ZËRI