EKUADOR-Një operacion i autoriteteve ekuadoriane ka çuar në arrestimin e personit që dyshohet se menaxhonte financat e mafias shqiptare që vepronte në vend. Sipas Ushtrisë së Ekuadorit, bëhet fjalë për Pablo Adrián H. T., i njohur me nofkën "Caballo", i cili u kap gjatë një operacioni ushtarak në komunën La Maná, në provincën Cotopaxi.
Mediat vendase raportojnë se i arrestuari po hetohet edhe për pastrim parash dhe krim të organizuar , sipas informacionit nga Ushtria, e cila paralajmëroi për lidhjet e tij të dyshuara me mafian shqiptare, udhëheqësi i së cilës në Ekuador ishte shqiptari Dritan Gjika, i kapur vitin e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për t'u ekstraduar.
Emri i Dritan Gjikës është mes personave për të cilët Prokuroria e Posaçme ka caktuar masë "arrest me burg" në kuadër të megaoperacionit kundër një grupi të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave. Arrestimi i tij në Duabi, i konfirmuar nga autoritetet ekuadoriane më 26 maj 2025, erdhi në kuadër të dosjes 'Pampa', një hetim i përbashkët nga Ekuadori dhe Spanja, ku u zbulua një rrjet përgjegjës për pastrimin e mbi 30 milionë dollarëve përmes kompanive ekuadoriane.
Hetimet e SPAK tregojnë se grupi kriminal, ku bën pjesë dhe Dritan Gjika ka operuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës gjatë viteve 2019–2021, me rrugë kryesore nga Amerika e Jugut drejt Europës, dhe dyshohet se ka arritur të fusë rreth 50 tonë kokainë.
Gjika ka një kartë identiteti ekuadoriane që nga viti 2013, e regjistruar në Guayaquil, ku dhe banon. Ai kishte lidhje të dyshimta biznesi me Ruben Cherres, shoku i kunatit të ish-presidentit të Ekuadorit, Guillermo Lasso, i cili u largua nga kjo detyrë pas akuzave për korrupsion. Trupi i Ruben Cherres u gjet me shenja torture në Santa Elena, në brigjet ekuadoriane. Ai ishte po ashtu dëshmitar kyç, i gatshëm për të folur për një rrjet biznesesh të dyshuara se përdoreshin për të fshehur paratë e drogës, disa prej të cilave dyshohet se shkonin deri lart, në zyrën e Lasso.
Cherres dhe Gjika themeluan 13 kompani, shumica prej tyre ndërtimi dhe pasurish të paluajtshme, 8 prej të cilave u krijuan në një ditë të vetme. Këto firma janë vëzhguar nga Mbikëqyrja e Kompanive për mosrespektim të rregulloreve kundër pastrimit të parave. Asnjë nuk kompanitë nuk ka paguar taksa. Dhe Cherres ka një pagesë maksimale prej 142 dollarësh për sigurime gjatë gjithë jetës së tij.
Pavarësisht se Gjika kishte arritur të ruante një rekord të pastër kriminal në Ekuador, që nga momenti që kishte shkuar atje, bosi i krimit, kishte ngjallur dyshime me mënyrën si operonte bizneset e tij. Hetimi zbuloi pozicionin e tij në krye të prodhimit dhe logjistikës në Amerikën e Jugut, duke mbikëqyrur jo vetëm prodhimin, por edhe ekipet që dorëzonin kokainën në portet ekuadoriane.

