Aktualitet

Vrasja e ish-policit Bilali! 'Lale, ky është hasmi i Gjergjit, i ka vra shokun dhe vëllain', i penduari “fundos” me rrëfimin Cukalin

Më herët Gjykata e Tiranës pushoi hetimin e nisur ndaj Gjergj Cukalit, si i dyshuar për ngjarjen.

F.I
Vrasja e ish-policit Bilali! 'Lale, ky është hasmi i Gjergjit, i
Gjergj Cukali dhe viktima Arben Bilali

TIRANË-Në maj të këtij viti Gjykata e Apelit urdhëroi Prokurorinë të rinisë hetimet për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, ngjarje e ndodhur më 30 janar 2019 në zonën e Selitës, Tiranë. Më herët Gjykata e Tiranës pushoi hetimin e nisur ndaj Gjergj Cukalit, si i dyshuar për ngjarjen. Teksa hetimi i Prokurorisë pritet të rifillojë, lidhur me vrasjen e ish-efektivit ka folur gjatë një seance edhe i penduari i drejtësisë Enver Jamaku.

Lidhur me vrasjen e ish-policit Bilali, News24 shkruan se i penduari i drejtësisë flet, ndër të tjera, për një bisedë të zhvilluar mes tij dhe një personi të identifikuar si Ad Bomi.

Ai shpjegon se shkoi tek Xubi i Yzberishtit, Fatmir Avdillarit, për të marrë një makinë, pasi kishte rezultuar me problem shasie dhe ndërmjetës për shitjen ishte Ad Bomi.

“Kur kam takuar Xubin e Yzberishtit, Adi më ka thënë: ‘Mos i jep muhabet këtij lale, se ky është hasmi i Gjergj Cukalit, pasi Gjergji i ka vrarë shokun e tij Arben Bilali dhe vëllain e tij’”, rrëfen Jamaku.

Lidhur me këtë ngjarje, i penduari i drejtësisë nuk jep detaje të mëtejshme në dëshminë e dhënë para Gjykatës së Posaçme, por me rihapjen e dosjes priten detaje të reja rreth bisedave dhe atentatit të Bilalit.

Gjergj Cukali u arrestua në 30 maj 2019, 4 muaj pas ekzekutimit te ish-policit, si i dyshuar për vrasjen e Arben Bilalit. Ai u lirua pas tre muajsh, pasi prova kryesore kundër tij, një gjurmë ADN-je e tij në mjetin e vrasjes, u vlerësua si e papërdorshme nga gjykata. Cukali është i dënuar me 25 vite burg, i cili dyshohet si i përfshirë në tentativat për të vrarë dy biznesmenët, Gjon Mena dhe Artion Bylyku. 

Bilali u ekzekutua më 30 janar 2019 në zonën e Selitës, Tiranë. Ish-efektivi i Policisë së Shtetit, po udhëtonte me një mjet tip “Hyundai” kur u qëllua për vdekje me 14 plumba nga persona ende të paidentifikuar. Autorët u larguan nga vendngjarja me një makinë tip “Benz”. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, Bilali nuk arriti të mbijetonte. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi familja e Bilalit ka qenë e përfshirë në konflikte të hershme me dy familje të tjera në kryeqytet./ZËRI

Poll

MOS HUMB