FUSHË-KRUJË-Një operacion i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është zhvilluar në ambientet e IEVP Fushë-Krujë, ku gjatë kontrolleve është gjetur dhe sekuestruar një aparat celular që dyshohet se i përket të dënuarit Ramazan Rraja.
Telefoni është gjetur gjatë kontrolleve të ushtruara brenda institucionit të vuajtjes së dënimit dhe tashmë i është dorëzuar SPAK. Celulari pritet të ekzaminohet në laboratorin dixhital, për të verifikuar të dhënat dhe komunikimet që mund të përmbajë. Operacioni vazhdon pasi dyshohet se janë fshehur dhe aparate të tjerë celularë.
Ramazan Rraja u arrestua në muajin prill të vitit 2023 në Fushë Krujë, për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vrarë shoferi i prokurorit. Bashkë me të në burg është dhe babai i tij, Xhelal Rraja. Ramazan Rraja u arrestua në një lokal, ndërsa ishte me pistoletë në brez.