TIRANË-Dy persona, Brian Serica, 31 vjeç dhe Skerdi Meta, 23 vjeç janë arrestuar në kuadër të operacionit policor 'Shuma' pasi mashtruan një 70-vjeçar dhe i morën 100 mijë euro. Lidhur me rastin në kërkim është shpallur edhe një 31-vjeçar.
Policia njofton se tre të dyshuarit duke përdorur inteligjencën artificiale dhe duke iu prezantuar një 70-vjeçari, përmes mesazheve, si të njohur të tij, e kanë mashtruar 70-vjeçarin që ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave dhe i kanë marrë 100 000 euro me justifikimin se do t’ia kthenin pas disa orësh.
Konkretisht të dyshuarit i janë prezantuar kambistit si biznesmeni Bashkim Ulaj. Në WhatsApp, numri i paautorizuar e ka marrë me kamerë 70-vjeçarin dhe, me anë të inteligjencës artificiale, për pak sekonda është shfaqur një imazh i Ulajt.
Pasi shuma e konsiderueshme nuk i është kthyer mbrapsht, 70-vjeçari telefonon Bashkim Ulajn, i cili i thotë se nuk ishte në dijeni të kësaj skeme. Pas mbylljes së telefonatës, 70-vjeçari ka bërë kallëzim në polici. Hetimet vijojnë për identifikim e personave të tjerë të përfshirë në skemën e mashtrimit.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohen gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione kundër krimeve ekonomike për zbardhen e raste me pasoja në fushën e mashtrimit dhe të vjedhjes.
Në njërin prej rasteve, autorët kanë mashtruar një shtetas duke përdorur inteligjencën artificiale, gjatë komunikimit.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, si dhe nga shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, pas kallëzimeve të disa qytetarëve për raste mashtrimi dhe/ose vjedhjeje në subjektet e tyre, u finalizuan, në 24 orë, 2 operacione për zbardhjen e këtyre krimeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale. Konkretisht:
-Në kuadër të operacionit të koduar “Shuma”, u arrestuan shtetasit B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. H., 31 vjeç.
Këta shtetas, duke përdorur inteligjencën artificiale dhe duke iu prezantuar një 70-vjeçari, përmes mesazheve, si të njohur të tij, e kanë mashtruar 70-vjeçarin që ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave dhe i kanë marrë 100 000 euro me justifikimin se do t’ia kthenin pas disa orësh. 70 vjeçari, pasi nuk ka marrë shumën e dhënë në orën e premtuar, ka njoftuar menjëherë Policinë.
Operacioni vijon për kapjen e shtetasit R. H., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që ka shkuar te subjekti i 70-vjeçarit dhe ka marrë shumën e eurove, si dhe të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.