Aktualitet

Kufizime të reja për mishin nga Brazili, AKU: Do pranohen vetëm produktet me certifikatë para 3 shtatorit

Zbatimi i rregullave të reja në vendin tonë do të nisë nga data 3 shtator.

l.k
Kufizime të reja për mishin nga Brazili, AKU: Do pranohen vetëm
Foto ilustruese

TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe të gjedhit me origjinë nga Brazili do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar edhe gjatë shtatorit. Sipas AKU-së, bëhet fjalë për produktet e mishit që janë certifikuar përpara datës 3 shtator 2026.

Ky njoftim vjen pas ndryshimeve të regullave nga Bashkimi Europian më 28 maj, ku Brazili u hoq nga lista e vendeve të autorizuara për eksportin e mishit të shpendëve dhe të gjedhit, pasi përdorimi i medikamenteve veterinare që ndikojnë në rritjen e masës muskulare të kafshëve ka ngritur shqetësime serioze në nivel europian. Zbatimi i rregullave të reja në vendin tonë do të nisë nga data 3 shtator.

Njoftimi i AKU:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të ndryshimeve në Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, me të cilën është ndryshuar Rregullorja Zbatuese e Komisionit (BE) 2021/405, bën me dije se Brazili është hequr nga lista e vendeve të treta ose rajoneve të tyre të autorizuara për hyrjen në Bashkimin Evropian të dërgesave të kategorive të caktuara të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.

Gjithashtu, referuar edhe Urdhrit të Ministrit nr. 294, datë 13.06.2006, “Për importin e mishit nga Republika Federative e Brazilit”, importimi i këtyre produkteve kushtëzohet nga miratimi prej Bashkimit Evropian i zonave dhe stabilimenteve të prodhimit.

Në kuadër të zbatimit të ndryshimeve, bëjmë me dije se më 28 maj 2026, në Bruksel, është zhvilluar një takim ndërmjet përfaqësuesve të UECBV (Bashkimi Evropian i Tregtisë së Blegtorisë dhe Mishit) dhe DG SANTE, gjatë të cilit përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë sqaruar se ngarkesat për të cilat certifikata përkatëse është lëshuar përpara datës 3 shtator 2026 do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar (BCP) të Bashkimit Evropian, pasi kërkesat e reja nuk zbatohen për eksportet nga vendet e treta të kryera përpara kësaj date.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sqaron se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe të gjedhit me origjinë nga Brazili, për të cilat certifikata shëndetësore veterinare zyrtare është nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara datës 3 shtator 2026, do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar, edhe në rast se këto ngarkesa mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë pas datës 3 shtator 2026.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e kërkesave të legjislacionit në fuqi, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT në vitin 2024 u importuan në vend 48 mijë ton mish. Të dhënat e tregtisë me jashtë tregojnë se Brazili ishte furnizuesi kryesor me mish i tregut tonë për gjatë tre dekadave të tranzicionit. Në vitin 2023 mishi nga ky vend zuri 31.1 % të totalit të importit të mishit, ndërsa në vitin 2024 rreth 27%./ZËRI

Poll

MOS HUMB