
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO-së për masën e sigurisë. Ndaj saj është caktuar "detyrim paraqitje", por Kryemadhi e kundërshton masën e vendosur. Ankesa e saj është dërguar me postë që të shtunën, ndërkohë që sot, pritet që ankimim të bëjë edhe Ilir Meta. Avokati i kreut të PL-së, Genc Gjokutaj ka paralajmëruar se përveç kundërshtimit të masës “arrest në burg”, do të bëjë edhe një kallëzim edhe lidhur me mënyrën e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme.
Teksa ankimimet për procesin kanë nisur, Kryemadhi është paraqitur sot në orën 12:00 në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje”. Gjatë një komunikimi me gazetarët, Kryemadhi tha se do të përballet me drejtësinë, pavarësisht se në gjykimin e saj organi i akuzës ka bërë shkelje ligjore. Po ashtu, i dërgoi "sinjale" edhe kryeministrit Edi Rama.
“Unë jam një individ, aq më shumë një politikane që vendos të përballem edhe me padrejtësitë që bëhen. Sigurisht që unë po bëj komplet mbrojtjen time ligjore sa i përket pretendimeve që ka ngritur SPAK ndaj meje. Kam konstatuar një sërë shkeljesh ligjore të konsumuara nga organi i akuzës. Patjetër që këto do të kundërshtohen me prova, me fakte dhe argumente që do t’u vërtetojnë shqiptarëve të kundërtën e asaj që shkruhet. Normalisht dhe ju do të njiheni me to. Do të njiheni me të vërtetat e Monika këmbësores dhe satelitëve të Shqipërisë. Po patjetër që ka vlerë çdo gjë. Fija që e zbres me këmbë në tokë jam unë, Monika Kryemadhi. Me Metën nuk kam mundur që të komunikoj,"-tha Kryemadhi.
Gati një javë më parë, Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa edhe pse me të njëjtat akuza me Metën, është lënë në “detyrim paraqitje” për shkak të gjendjes së saj shëndetësore./ZËRI