
GREQI- Dje, kryeministri Edi Rama ishte në Selanik, atje ku zhvilloi takime me shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në shtetin grek. Në fjalimin e tij, duke komentuar protestën kundër vizitës së tij dhe parullat për të ashtuquajturin "Vorio Epir", Rama foli ashpër duke e cilësuar këtë tezë si një "fantazmë të të shkuarës".
“U organizua një protestë me fletushka qesharake të frymëzuara nga të ashtuquajturit “vorioepirotët” dhe ato më shkaktojnë vetëm keqardhje. “Epiri i Veriut” është një term i vdekur, ka vdekur me kalimin e kohës. Dhe ka vdekur bashkë me çdo ëndërr. Kushdo që përdor këtë term kur flet për jugun e Shqipërisë tregon se nuk dëshiron të jetojë në shekullin e 21-të."
Duke shprehur keqardhjen për këto reagime, Rama theksoi se veprime të tilla nuk i ndihmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Kjo nuk është një arsye për të kultivuar ndjenja negative ndaj Greqisë. Greqia është një partner i domosdoshëm që, së bashku me Italinë dhe Turqinë, përbën një trekëndësh strategjik në politikën tonë të jashtme. Populli grek na ka ndihmuar, ka qenë pranë nesh, i duam dhe i respektojmë. Ajo që kemi dëgjuar për Vorioepirin ka ndodhur shekuj më parë. Jemi në shekullin e 21-të dhe nuk kemi nevojë të merremi më me ta,”-shtoi ai.
Por deklaratat e Ramës janë komentuar edhe nga burime të Ministrisë së Jashtme Greke. Sipas "Kathimerini", duket se nga pala greke nuk kanë të njëjtin qëndrim për tezën që Rama e cilësoi si "fantazmë të të shkuarës."
“Historia nuk skadon dhe mban gjallë kërkesën për respektimin e plotë nga ana e Shqipërisë të të drejtave të minoritetit etnik grek. Ky përbën një kusht të qartë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas qëndrimit unanim të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të datës 11 tetor 2024."
Por çfarë është Vorio Epiri?
Republika Autonome e Epirit të Veriut ishte një njësi jetëshkurtër, vetëqeverisëse e themeluar pas Luftërave Ballkanike më 28 shkurt 1914, nga minoritarët grekë që jetonin në Shqipërinë jugore (Epirotët e Veriut). Ishte planifikuar që Epiri i Veriut t'i jepej Greqisë pas luftës, por nuk ndodhi kështu. Edhe pse ideja e krijimit të Vorio Epirit ka "vdekur" politikisht prej dekadash të tëra tashmë, ende qarkullon në qarqet ekstremiste greke./ZËRI