Aktualitet

GJKKO dënon me 1 vit burg kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla

Gjykata vendosi të lërë në fuqi pretencën e SPAK e cila një seancë më parë kërkoi dënimin e tij me 1 vit burg dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

F.I
GJKKO dënon me 1 vit burg kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla
Edison Memolla

TIRANË-Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla është dënuar sot me 1 vit burg. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vendosi dënimin me 1 vit burg kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës duke e shpallur fajtor për akuzat  “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Gjykata vendosi të lërë në fuqi pretencën e SPAK, e cila një seancë më parë kërkoi dënimin e tij me 1 vit burg dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Kryebashkiaku u shpreh se do të ankimojë vendimin.

Vendimi: 

-Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328-25 i K. Penal - Dënohet me 1 vit burg dhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite
-Ndriçim Tafxhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal -  Dënohet me 1 vite burg
-Blerim Xhamani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 dhe 186 paragrafi 2 të Kodit Penal -  Dënohet me 1 vit burg
-Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi 2 i Kodit Penal -Dënohet me 8 muaj burg, i pezullohet në shërbim prove. 

Sipas SPAK, Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i kishte premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.

Memolla u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës si kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023. Megjithatë, pas ankimeve nga opozita për parregullsi në kutitë e votimit të Burgut të Rrogozhinës zgjedhjet u përsëritën. Memolla i fitoi votimet për herë të tretë në korrik 2023. Megjithatë këtë mandat rrezikon që ta humbasë nëse do të shpallet fajtor./ZËRI

Poll

MOS HUMB