
TIRANË- 1 vit burg, kjo është pretenca që ka dhënë Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla. Në seancën e sotme, prokurori Edvin Kondili kërkon për zyrtarin e lartë 1 vit burg pasi mbi të rëndon akuza e korrupsionit aktiv në zgjedhjet e zhvilluara në vitin 2022. Por po ashtu, si dënim plotesues u kërkua dhe heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Në seancën e radhës më 10 janar, pritet që të bëhet mbrojtja e Memollës.
Por përse akuzohet Memolla?
Sipas SPAK, Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.
I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i kishte premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.
Memolla u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës si kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023. Megjithatë, pas ankimeve nga opozita për parregullsi në kutitë e votimit të Burgut të Rrogozhinës zgjedhjet u përsëritën. Memolla i fitoi votimet për herë të tretë në korrik 2023. Megjithatë këtë mandat rrezikon që ta humbasë nëse do të shpallet fajtor./ZËRI