
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar zyrtarisht lidhur me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një njoftimi të bërë publik, SPAK bën me dije hetimi ka nisur pas kallëzimit të bërë në shkurt të këtij viti nga një person i vetëidentifikuar si "N.A.". Vetë kryebashkiaku i Tiranës e zbuloi se bëhej fjalë për një person të identifikuar si Nesti Angoni, por që shtoi se nuk ekziston. Ndër të tjera në njoftimin e bërë publik, SPAK zbulon se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, kanë nisur një procedim penal. Fillimisht hetimi nisi për veprën "Korrupsion pasiv", por deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, Prokuroria e Posaçme thekson se Veliaj po hetohet për 4 vepra penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.
Përgjigja e SPAK:
Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojme: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.
Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal. Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndaj Veliajt ka nisur hetimi i pasurisë, dhe SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar i bërë nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna e tyre, Shqiponja Veliaj. Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës. Por kësaj here, Veliaj nuk dha detaje. Edhe pasi doli, u shpreh para gazetarëve se fjalën e tij do ta jepte gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës./ZËRI