
TIRANË- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ashtu siç e paralajmëroi, ka folur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për thirrjen e tij për më shumë se 5 orë në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në fjalën e tij, Veliaj tha se ishte thirrur për të "bashkëpunuar" me SPAK, pasi në Prokurorinë e Posaçme kishte mbërritur një denoncim një qytetar anonim. Sipas kryebashkiakut të Tiranës, që Veliaj thotë se quhet Nesti Angoni, ndërsa shton se ky qytetar nuk ekziston. Kryebashkiaku i Tiranës e konsideroi denoncimin anonim ndaj tij si një kurth, teksa bëri me dije se do të jetë bashkëpunues me drejtësinë.
Veliaj: Tani para se t'ju uroj vitin e ri, iu detyrohem edhe një sqarim për bashkëpunimin dhe vizitën time në SPAK. Jam informuar se kam pasur...si kryetari i Bashkisë do më lini që të bëj këtë sqarim për të gjithë ata qytetarë që më dëgjojnë. Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, i cili është një personazh që nuk ekziston për të na kthyer mallin e letrave anonime. Të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër dhe megjithatë se kryetari i Bashkisë ka në zotërim në Regjistrin Civil dhe mund të verifikoj se është një kurth i sajuar është bashkëpunues. Do të ishte shqetësues nëse nuk do të paraqitesha. E di gjithë Tirana ku banoj unë. Unë hyj tek ajo rracë politikanësh që nuk i them SPAK-ut SKAP kur më intereson. As nuk kam bërë protesta dhe as letra anonime. Këtu do jemi në maj do iu mundim. Këtu do jeni dhe do ta shikoni.
Ndaj Veliajt ka nisur hetimi i pasurisë, dhe SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar i bërë nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna e tyre, Shqiponja Veliaj. Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës. Por kësaj here, Veliaj nuk dha detaje. Edhe pasi doli, u shpreh para gazetarëve se fjalën e tij do ta jepte gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës./ZËRI