
TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka zbutur masën e sigurisë për Arben Rushitin nga arrest me burg, në arrest shtëpie. Mësohet, se vendimi u mor pasi Rushitit i ka përfunduar afati ligjor për mbajtjen e masës së sigurisë arrest me burg. Rushiti ra në pranga në kuadër të operacionit “Vula”, ku së bashku me të u arrestuan dhe 2 persona të tjerë të identifikuar si Çlirim Bregu, 53 vjeç, banues në Tiranë, bashkëpronar i firmës, i dënuar më parë ndër të tjera dhe për kontrabandë, Fatos Shima 54-vjeç banues në Tiranë, ky i fundit u arrestua në flagrancë duke marrë një certifikatë pronësie të falsifikuar.
Nga hetimet u zbulua Çlirim Bregu dhe Arben Rushit, nëpërmjet vulave false të institucioneve të ndryshme shtetërore brenda dhe jashtë Shqipërisë, iu siguronin dokumente (leje qarkullimi, libreza, deklarata noteriale, dokumente shkollore dhe dëshmi të aftësive profesionale) qytetarëve në këmbim të parave. Sipas GJKKO afatet maksimale të parashikuara nga ligji për masën e sigurimit janë tejkaluar, duke e bërë të domosdoshëm ndryshimin e masës nga arrest në burg në arrest shtëpie. /ZËRI