Aktualitet

"Ketaminë", "MDMA", "Ekstazi" në plazhe e lokale, antidroga "zbret" në Vlorë: 5 të arrestuar, sekuestrohen 700 doza narkotike

Të arrestuarit janë tre të rinj nga Lezha, të moshave 20, 20 dhe 23-vjeç, si dhe dy shtetas që banonin në Itali, përkatësisht në Romë dhe Palermo.

zh.ll
"Ketaminë", "MDMA", "Ekstazi" në plazhe
pamje nga operacioni policor

VLORË- Pesë persona mes tyre edhe 2 italianë janë arrestuar pas një operacioni antidrogë, pasi dyshohen se shpërndajnë lëndë të ndryshme narkotike në plazhe dhe lokale të qytetit. Të arrestuarit janë tre të rinj nga Lezha, të moshave 20, 20 dhe 23-vjeç, si dhe dy shtetas që banonin në Itali, përkatësisht në Romë dhe Palermo.

Sipas Policisë, personat e arrestuar u kapën në zonën e Zvërnecit, ndërsa gjatë kontrolleve të automjetit, sendeve personale dhe banesës ku qëndronin në Vlorë, u gjetën edhe shuma parash dhe aparate celularë, të cilat dyshohet se lidhen me veprimtarinë e tyre.

Gjatë operacionit, Policia sekuestroi rreth 700 doza me lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, përfshirë “Tusi”, ketaminë, MDMA, kokainë, ekstazi dhe kanabis.

Njoftimi i policisë:

 

Finalizohet operacioni policor i koduar "WEST", për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Arrestohen në flagrancë 5 shtetas, nga të cilët 2 janë shtetas italianë.

Sekuestrohen 700 doza të lëndëve narkotike të llojeve "Tusi", "Ketaminë", "MDMA", "Kokainë", "Ekstazi" dhe "Kanabis".

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, lidhur me disa shtetas që transportonin lëndë të ndryshme narkotike me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Vlorës, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, me mbështetjen e shërbimeve operacionale të DVP Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "WEST".

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit N. K., 20 vjeç, banues në Lezhë; R. H., 20 vjeç, banues në Lezhë; M. M., 23 vjeç, banues në Lezhë; C. L., 42 vjeç, banues në Romë, Itali, dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo, Itali.

Këta shtetas u konstatuan në zonën e Zvërnecit dhe, gjatë kontrollit fizik të tyre, të automjetit që përdornin, si dhe të banesës ku qëndronin, në lagjen "Uji i Ftohtë", Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, gati për shitje, një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe 8 aparate celularë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas i shisnin lëndët narkotike në plazhe dhe lokale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim.

Poll

MOS HUMB