Aktualitet

Atentati në Gjirokastër, humb jetën shoferi i 'Benz'-it që sapo ishte kthyer nga Tirana! Kush ishte Beqir Devolli, i njohur si 'Çilo Hundëderri'?

 45-vjeçari, i njohur me nofkën “Çilo Hunderri”, dyshohet se kishte lidhje me trafikun e lëndëve narkotike drejt Greqisë.

zh.ll
Atentati në Gjirokastër, humb jetën shoferi i 'Benz'-it
vendngjarje-Beqir Devolli

GJIROKASTËR- Ka ndërruar jetë Beqir Devolli, shoferi i automjetit tip Benz në Gjirokastër, që shpërtheu në flakë gjatë mbrëmjes së djeshme. Sipas njoftimit të policisë, 45-vjeçar ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës. Ndërkohë që Erigels Mela personi tjetër që ndodhej në mjet është jashtë rrezikut për jetën.

Sipas burimeve, Devolli po kthehej nga Tirana dhe ishte drejtuar për në banesën e tij në lagjen “Palorto”. Gjatë rrugës, rreth 700 metra larg vendit ku ndodhi shpërthimi, në automjet ka hipur edhe Erigels Mela. Emri i këtij të fundit është përmendur edhe në një ngjarje të ndodhur një vit më parë, kur makina e tij tip “Range Rover” u përfshi nga flakët në zonën e Dunavatit.

Ndërkohë, mësohet se viktima ishte edhe shënjestra e atentatit, ndonëse fillimisht u raportua se objektivi ishte pasagjeri Erigels Mela. 45-vjeçari, i njohur me nofkën “Çilo Hundëderri”, dyshohet se kishte lidhje me trafikun e lëndëve narkotike drejt Greqisë. Ai rezulton të jetë dënuar në vitin 2012 për transport të paligjshëm të emigrantëve. 

Megjithatë, deri më tani, policia nuk ka dhënë një njoftim zyrtar që të konfirmojë këto dyshime apo pistën e atentatit.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shpërthimin e një automjeti tip “Benz” në lëvizje, që dyshohet se është shkaktuar nga lëndë plasëse, me pasojë dëmtimin e drejtuesit dhe pasagjerit, ju informojmë se drejtuesi i automjetit, shtetasi B. D., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës.

Pasagjeri, shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Gjirokastër, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në informacionin paraprak, ai ishte identifikuar me inicialet R. M.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Ngjarja ndodhi mbrëmë e djeshme rreth orës 22:00. Automjeti tip “Benz” shpërthyeu në ecje në bulevardin “18 shtatori” në Gjirokastër. Si pasojë e shpërthimit, fillimisht mbetën të plagosur pasgjeri dhe shoferi i automjetit, por ky i fundit, nuk arriti t'u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.

Paraprakisht dyshohet se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga vendosja e një sasie lënde plasëse në automjet. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet zbardhja e plotë e saj nga grupi hetimor./ZËRI

Poll

MOS HUMB