
TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj deklaroi se nuk do të largohet nga posti që mban dhe do të qëndrojë deri në fund të vitit 2025. Sot më 10 dhjetor, ishte afati i fundit i parashikuar nga 'Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese', që kryetarja e këtij institucioni, pra Holta Zaçaj të mblidhte 7 anëtarët e mbetur të Gjykatës për të deklaruar përfundimin e mandatit të saj. Ky ishte edhe interpretimi i bërë nga Gjykata e Lartë.
"Në datën 16.01.2023, znj. Holta Zaçaj është zgjedhur nga Gjykata e Lartë si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vendin vakant që i përkiste mandatit që kishte ushtruar Znj. Vitore Tusha, si gjyqtare në detyrë, mandat i cili, referuar njoftimeve për hapjen e garës, por edhe vendimit të Gjykatës së Lartë, përfundon në datën 10 mars 2025. Gjithashtu në dispozitivin e vendimit nr. 2, datë 16.01.2023 të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj është përcaktuar zgjedhja e saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese “me mandat të pjesshëm, deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025”. Sipas nenit 9 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, jo më vonë se 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese... njofton organin emërtesë për vendin vakant. Referuar këtij rregullimi ligjor, Gjykata Kushtetuese duhet të deklarojë mbarimin e mandatit të Znj. Holta Zaçaj jo më vonë se data 10.12.2024. Pas kësaj date, Kryetari i Gjykatës së Lartë duhet të shpall garën për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese me mandat të plotë 9 vjeçar."
Por duke qenë se nuk ka ushtruar një mandat të plotë, pasi zëvendësoi në detyrë Vitore Tushën, Holta Zaçaj ka vendosur që të kërkojë opinion nga Komisioni i Venecias në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit të saj në detyrë. Kjo pasi, po sipas saj, nuk ka asnjë dispozitë që i cakton një datë për përfundimin e detyrës. Bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025. Por llogaria është bërë me mandatin e Tushes, jo të kryetares aktuale të Gjykatës Kushtetuese.
"Gjyqtarja Holta Zaçaj ka filluar të ushtrojë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datën 25 Janar 2023 dhe ka pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, e cila e kishte përfunduar detyrën si gjyqtare kushtetuese në datën 10 Mars 2017. Mandati i gjyqtares Holta Zaçaj rregullohet nga neni 179, pika 3, i Kushtetutës, i cili parashikon se, me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin të cilit i mbaron mandati në vitin vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025. Për rrjedhojë, data 10 Mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së znj. Holta Zaçaj si gjyqtare pasuese."
Në fund të sqarimit të saj për mediat, kryetarja e gjykatës i bën apel çdo organi tjetër të drejtësisë që të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese për përfundimin e mandateve të gjyqtarëve që janë pjesë e trupës.
Njoftimi për mediat:
Duke marrë shkas nga disa artikuj në media në lidhje me deklarimin e përfundimit të mandatit tim si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, në konsideratë të përgjegjësive që më njeh ligji si Kryetare, për paraqitjen e kërkesës për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, në vlerësimin tim, situata në lidhje me kohëzgjatjen e këtij mandati paraqitet si vijon: Gjyqtarja Holta Zaçaj ka filluar të ushtrojë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datën 25 Janar 2023 dhe ka pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, e cila e kishte përfunduar detyrën si gjyqtare kushtetuese në datën 10 Mars 2017. Mandati i gjyqtares Holta Zaçaj rregullohet nga neni 179, pika 3, i Kushtetutës, i cili parashikon se, me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin të cilit i mbaron mandati në vitin vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025.
Mbi bazën e kësaj dispozite kushtetuese edhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj nr. 2, datë 16.01.2023 ka deklaruar: “Zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025.”. Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025. Data e përfundimit të detyrës së gjyqtarit paraardhës, në rastet kur ai ka përfunduar mandatin e plotë, nuk referohet nga Kushtetuta apo ligji si një ngjarje juridike, e cila përcakton edhe përfundimin e mandatit të gjyqtarit pasues. Edhe në praktikën institucionale nuk rezulton të jetë zbatuar një rregull i tillë në përcaktimin e datës së përfundimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve kushtetues.
Për rrjedhojë, data 10 Mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së znj. Holta Zaçaj si gjyqtare pasuese. Pavarësisht sa më sipër, duke marrë parasysh rëndësinë e parimit të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues, marrë shkas nga ky rast por edhe, eventualisht, për të paraprirë situata të ngjashme në të ardhmen, kam konsideruar t`i drejtohem menjëherë Komisionit të Venecias, si organ këshillimor, për marrjen e një opinioni amicus curiae në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues në përgjithësi dhe, në veçanti, sipas parashikimeve të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës.
Dëshiroj të garantoj opinion publik se, në cilësinë time si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, do të ushtroj përgjegjësitë e mia për të vënë në lëvizje Gjykatën në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, ashtu si edhe kërkesa për amicus curiae, do të bëhet publik. Gjej rastin të sjell në vëmendje dhe të kërkoj nga çdo organ tjetër që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese në ushtrimin e kompetencës për deklarimin e mbarimit të mandatit të këtyre gjyqtarëve. Ashtu siç është theksuar edhe në jurisprudencën kushtetuese: “Garancia e kohëzgjatjes dhe paprekshmërisë së mandatit e mbron gjyqtarin nga ndikimet e forcave politike që mund të vijnë në pushtet. Vetëm një gjykatë e pavarur, të cilës i garantohet paprekshmëria e mandatit të anëtarëve të saj, mund të konsiderohet si një gjykatë që administron drejtësinë kushtetuese, në përputhje me parimet kushtetuese. Edhe pse mandati i gjyqtarit kushtetues ka kuptimin e një mandati të dhënë (jo të fituar nëpërmjet votës së zgjedhësve aktivë), parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë”. (Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 24, datë 09.06.2011, paragrafi 31).
Por kush është Holta Zaçaj?
Holta Zaçaj ka lindur më 12 janar 1976 në Tiranë, ndërsa është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1998. Në periudhën 2007-2008 ka kryer masterin shkencor për “Titujt dhe rregullimet financiare”, në Universitetin e Georgetoën në SHBA, në kuadër të programit Fullbright. Nga viti 2008, krahas angazhimit në shoqërinë civile si avokate dhe eksperte e të drejtave të njeriut, ka punuar si avokate në zyrën e avokatisë “Delegibus Consulting” sh.p.k. dhe nga viti 2018 ka ushtruar profesionin e avokatit edhe në shtetin e Massachusetts, SHBA, në zyrën ligjore ”Ligris and Associates” dhe “Zaçaj Law”.
Në periudhen 2009-2013, Zaçaj është angazhuar si lektore në Shkollën e Magjistraturës në trajnimin fillestar, në të drejtën familjare dhe në trajnimin vazhdues në fushën e së drejtës familjare dhe të të drejtave të fëmijëve, si dhe lektore e së drejtës bankare dhe financiare në disa universitete private në Shqipëri, në periudhën 2009-2014. Holta Zaçaj u zgjodh më janar 2023 nga Gjykata e Lartë si anëtare e Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar vendin vakant që i përkiste Vitore Tushës./ZËRI